Skenë si në filmat aksion/ Policia shti me armë në veturën e kontrabanduesve, prokuroria jep detajet e fundit

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj- dega në Kaçanik, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarve me iniciale M.B., dhe M.B.,- nga Fsh.Bllacë- Republika e Maqedonisë së Veriut, shtetas të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të veprave penale “Kontrabandim me mallra dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” sipas Kodit penal të Republikës së Kosovës.
Sipas prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se 26 shkurt 2025, rreth orës 21.00, me dashje në bashkëkryerje, të njëjtit, kanë tentuar të kalojnë vijën kufitare nga Republika e Kosovës për në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në atë mënyrë që kanë shmangur kontrollin doganor, ashtu që me veturën “VW Sharan”, ngjyrë e zezë, në të cilën kanë pas të ngarkuara mallra të ndryshme- veshmbathje, mirëpo në fsh. Krivenik, 200 m pa mbërri te vija kufitare, janë vërejtur nga policia e cila ka arritur që t’i ndalte, me këtë do të kryenin veprën penale “Kontrabandimi i mallrave në tentativë dhe bashkëkryerje” nga neni 311 paragrafi 1 lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit penal të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, ekziston dyshimi i bazuar se me datë, kohë dhe vend të njëjtë, në bashkëkryerje me dashje dhe me forcë kanë penguar personat zyrtar – zyrtarët policor në lidhje me detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që derisa personat zyrtarë ishin duke kryer detyrat e tyre në një pikë vëzhgimi afër vijës kufitare Republika e Kosovës për në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kanë vërejtur të pandehurit me veturën “VW Sharan” duke kaluar vijë kufitare dhe i kanë sinjalizuar që të ndaleshin, mirëpo të njëjtit nisin veturën me vrull me qëllim për ta goditur zyrtarin policor A.RR., që ishte jashtë veturës, i cili detyrohet që të përdorte armën e tij zyrtare në vetëmbrojtje, duke bërë që vetura të merrte drejtim tjetër të ikjes, ashtu që zyrtarët i vihen pas në ndjekje dhe arrijnë që të ndalnin veturën e të pandehurve. Mirëpo, të pandehurit gjatë arrestimit kanë rezistuar duke sulmuar zyrtarët policorë, me ç’ rast trajtim mjekësor për shkak të lëndimeve kanë marrë zyrtarët A.R dhe SH.M, me të cilën do të kryenin veprën penale në bashkëkryerje “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare nga neni 401 paragrafi 5 lidhur me paragrafi 4 dhe 1 dhe nenin 31 të Kodit penal të Republikës së Kosovës.
Të pandehurit M.B., dhe M.B., që nga 26 Shkurti 2025, me vendim të prokurorit të shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orë për veprat penale të lartëcekura.