I postoi fotografi ish të dashurës me mbishkrimin se ofron shërbime seksuale, Prokuroria e Ferizajt kërkon paraburgim

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit K.S., nga Peja, për veprën penale “Ngacmimi”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se gjatë vitit 2025, në komunën e Shtimes, i pandehuri ka përndjekur dhe ngacmuar viktimën V.Z., me të cilën më parë kishte pasur një lidhje dashurie. Ai dyshohet se ka vendosur pajisje GPS në veturën e saj për ta përgjuar, si dhe ka krijuar një llogari në “Instagram” në emër të saj, duke postuar fotografi me përmbajtje denigruese dhe duke e paraqitur si ofruese shërbimesh seksuale, përfshirë numrin e saj të telefonit dhe adresën e banimit.
Si pasojë e këtyre veprimeve, viktima ka përjetuar shqetësim të madh emocional. I dyshuari K.S. ndodhet nën masën e ndalimit 48-orësh që nga data 8 mars 2025, ndërsa pritet vendimi i gjykatës për kërkesën e Prokurorisë për paraburgim.