75 Mall Live Search
18:15 / E Mërkurë, 12 Mars 2025 / S Z

Osmani takohet me përfaqësues të institucioneve për zbardhjen e fatit të të zhdukurve

Presidentja Osmani priti në takim përfaqësues nga institucione dhe organizata që merren me zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, për të diskutuar themelimin e Komisionit presidencial për drejtësinë transicionale.

Në njoftim të presidencës bëhet e ditur se Osmani ka pritur në një takim përfaqësues nga institucione dhe disa organizata të angazhuara në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, ku u diskutua për përgatitjet e Zyrës së presidentes lidhur me themelimin dhe funksionalizimin e Komisionit presidencial për drejtësinë transicionale, që buron nga Strategjia për drejtësinë transicionale e Republikës së Kosovës.

“Të pranishmit përsëritën kërkesën për miratimin e Projektligjit për persona të zhdukur, në mënyrë që nevojat e familjarëve të të zhdukurve të adresohen. Njëherit, konfirmuan gatishmërinë e tyre për bashkëpunim të ngushtë me Zyrën e presidentes për themelimin dhe funksionalizimin e Komisionit presidencial”, thuhet në njoftim.

E para e shtetit shprehu mirënjohjen për angazhimin e të pranishmëve në zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë dhe riafirmoi përkrahjen e saj në këtë proces të rëndësishëm.