Hamdi Salihi mes 50 golashënuesve më të mirë të Europës, ish-futbollisti i Kombëtares renditet i 28-ti

Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare Hamdi Salihi është renditur i 28-ti në Europë ndër golashënuesit më të mirë për shekullin e 21-të.
Ne renditjen e Federatës Ndërkombëtare të Historisë dhe Statistikave, IFFHS, ish-sulmuesi i njohur shkodran, pjesë e disa ekipeve europiane dhe një prej lojtarëve më të mirë në historinë e Kombëtares shqiptare numëron 217 gola duke u renditur kështu i 28-ti mes 50 golashënuesve më të mirë të Europës.
Salihi, sa i përket shekullit të 21-të për golat e shënuar ka lënë pas emra të njohur në futbollin botëror si Dirk Kuyt, Di Natale, Mario Gomez, Robin Van Persie, Francesco Totti, Berbatov, Roy Makaay, Nistelrooy apo ylli botëror Del Piero.
Një pjesë e tyre golat e shënuar i kanë edhe përgjatë shekullit të 20-të, por për shekullin 21, pra nga viti 2000 dhe deri tani Salihi ka lënë pas gjithë këta emra.
Sulmuesi shkodran nga 2006 deri në 2015 ishte një prej lojtarëve kryesorë të Kombëtares shqiptare me 50 ndeshje të luajtura dhe 11 gola të shënuar ndërsa është një prej emrave kryesor që ndihmoi Kombëtaren në kualifikimin historik në Kampionatin Europian më 2016 edhe pse asokohe De Biazi nuk e grumbulloi duke e lënë jashtë europianit.
Salihi së fundi kontribuoi si zëvendëstrajner i Kombëtares dhe ëndrrën e tij në Kampionatin Europian e realizoi si pjesë e stafit të Kombëtares, më 2024.
Këtë listë e kryeson Cristiano Ronaldo me 557 gola të shënuar, Lewandowski me 402 gola të realizuar dhe i treti Ibrahimoviç me 393 gola të shënuar ndërsa më pas lista vijon me emra të tjerë të rëndësishëm të futbollit europian si golashënues.