75 Mall Live Search
10:54 / E Premte, 05 Qershor 2026 / L A

“Sfidë jetike për gjithë qytetin”, Burim Qerkini: Kemi qenë afër tre vjet radhazi, tani duam ta realizojmë objektivin!

Dinamo Ferizaj ndodhet vetëm 90 minuta larg realizimit të objektivit madhor të sezonit.

Të shtunën, skuadra ferizajase do të përballet me Llapin në finalen e play-offit për një vend në Superligën e Kosovës, ndërsa trajneri Burim Qerkini për Indeksonline.net ka folur për atmosferën në ekip, presionin e ndeshjes dhe rëndësinë që promovimi do të kishte për klubin dhe qytetin.

Ndonëse koha për përgatitje ka qenë e kufizuar, Qerkini thekson se gjendja psikologjike e skuadrës është pozitive para sfidës vendimtare.

“Pavarësisht se kemi pasur shumë pak kohë për ta përgatitur ekipin, ekziston një atmosferë shumë e mirë te futbollistët. Shpresojmë të dalim mirë në këtë ndeshje jashtëzakonisht të rëndësishme për ne dhe për gjithë qytetin”, deklaroi ai.

Duke folur për kundërshtarin, trajneri i Dinamos vlerësoi cilësinë dhe përvojën e Llapit, duke e konsideruar skuadrën nga Podujeva si favorite në këtë përballje. “Niveli mes Superligës dhe Ligës së Parë është mjaft i ndryshëm. Ndoshta ata e kanë presionin e mbijetesës, por ne mendojmë se favoriti është Llapi. Ata kanë një ekip shumë cilësor dhe me pak më shumë fat gjatë sezonit do të mund të ishin në mesin e tabelës”, tha Qerkini.

Sa u përket faktorëve që mund ta vendosin ndeshjen, ai veçoi dëshirën dhe përkushtimin e futbollistëve të tij për të zbatuar detyrat e dhëna nga stafi teknik. “Për skuadrën tonë, dëshira është elementi kryesor. Futbollistët janë të motivuar maksimalisht për t’i realizuar detyrat që ua kemi dhënë dhe për të luftuar deri në fund për këtë objektiv”, u shpreh ai.

Promovimi në elitën e futbollit kosovar do të kishte një domethënie të veçantë për Dinamon dhe qytetin e Ferizajt, sidomos pas disa sezoneve ku skuadra ka qenë shumë pranë suksesit.

“Do të thotë jashtëzakonisht shumë. Gjatë tre vjetëve të fundit kemi qenë skuadra e vetme e Ligës së Parë që kemi qenë kaq afër promovimit, por në fund kemi qenë të pafat. Qyteti i Ferizajt është i uritur për rezultate pozitive dhe ne po mundohemi t’i përmbushim kërkesat dhe pritjet e dashamirëve të futbollit të qytetit tonë”, përfundoi Qerkini.

Finalja e play-offit ndërmjet Dinamo Ferizajt dhe Llapit zhvillohet të shtunën nga ora 16:00 në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, me të dy skuadrat që synojnë objektiva jetikë: Dinamo promovimin në Superligë, ndërsa Llapi mbetjen në elitën e futbollit kosovar./Indeksonline/