75 Mall Live Search
14:11 / E Martë, 18 Mars 2025 / mp

LDK-ja dënon ashpër çdo formë të presionit të ushtruar ndaj PZAP-së

Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një njoftimi, dënon ashpër çdo formë të presionit të ushtruar ndaj Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke e konsideruar këtë si një ndërhyrje të papranueshme dhe të rrezikshme në një proces që duhet të mbetet tërësisht i pavarur dhe i paanshëm.


LDK-ja pret që normat demokratike dhe vullneti i qytetarëve të shprehur përmes votës së lirë të respektohen plotësisht dhe pa asnjë kusht.

Çdo përpjekje për të deformuar apo anuluar këtë vullnet përmes manipulimeve politike përbën një cenim të rëndë të parimeve themelore të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.


Nëse vullneti i qytetarëve do të përmbyset përmes presioneve të orkestruara, Lidhja Demokratike e Kosovës do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm, duke përdorur të gjitha mjetet demokratike dhe institucionale, për të mbrojtur të drejtën legjitime të votuesve tanë.

Ne nuk do të lejojmë që zgjedhjet të shndërrohen në një farsë të dirigjuar nga një pushtet që synon të deformojë rezultatin zgjedhor përmes trysnisë dhe manipulimit.


Presionet e Lëvizjes Vetëvendosje për të ndikuar në vendimmarrjen e institucioneve të pavarura dhe për të manipuluar rezultatet zgjedhore duhet të marrin fund njëherë e përgjithmonë.

LDK-ja do të vazhdojë të mbrojë pa kompromis integritetin e procesit zgjedhor, duke u angazhuar për një Kosovë ku zgjedhjet mbeten një shprehje e lirë dhe e pacenuar e vullnetit qytetar.


Lidhja Demokratike e Kosovës është dhe do të mbetet gardiane e demokracisë dhe e shtetit të së drejtës, duke garantuar se asnjë tendencë për të deformuar procesin zgjedhor nuk do të kalojë pa u sfiduar.