Dalin pamjet, momenti kur plagoset sigurimi në grabitjen te Albi Mall

Një grabitje e armatosur ka ndodhur dy ditë më parë në Veternik, ky të plagosur kanë mbetur dy persona. Njëri nga të plagosurit është punëtor i një kompanie sigurimi, 42-vjeçari Fahri Ademi.
Indeksonline ka siguruar pamjet e momentit të plagosjes së Ademit, teksa qëndron i shtrirë pranë qendres Albi Mall, vendi ku ai është plagosur.
Ndryshe Ademi që nga e hëna është në mjekim intensiv në Qendrën Klinike dhe Univeristare të Kosovës (QKUK) dhe se ende vazhdon të jetë në gjendje të rëndë.
Shefi i Klinikës Intensive, Shaqir Uka ka thënë për Indeksonline se Ademi vazhdon të jetë në mjekim intensiv dhe se lëndimet e tij vazhdojnë të mbesin serioze. Uka thotë se i gjithë stafi mjekësor, po bënë përpjekje të pandërprera, që gjendja e tij shëndetësore të stabilizohet.
“Pacienti po vazhdon të marrë trajtimin mjekësor në njësinë e mjekimit intensiv, këtu në QKUK. Gjendja e përgjithshme e pacientit në fjalë prezantohet të jetë stabile. Ai vazhdon të qëndrojë i fjetur me barna, i kyçur për aparatura mjekësore dhe i varur nga aparaturat mjekësore. Lëndimet janë në pjesën e poshtme të barkut dhe kanë përfshirë edhe pjesën e pasme të shpinës. Pavarësisht që gjendja prezantohet të jetë relativisht stabile, ai ka nevojë për intervenime shtesë kirurgjikale dhe mbajtje nën monitorim e trajtim intensiv. Përderisa është ende në këtë gjendje, nuk mund të themi se kemi një stabilitet të përgjithshëm, dhe edhe më tutje mund të themi që gjendja e tij vazhdon të mbetet e rëndë,” ka thënë Uka.