Këto janë të gjitha vendimet që mori qeveria në mbledhjen e sotme

Qeveria e Republikës së Kosovës mbajti sot mbledhje, të 254-n me radhë, ku në rend të ditës ishin 8 pika.
Gjatë mbledhjes u morën disa vendime, përfshirë themelimin e Këshillit organizativ për shënimin e 12 qershorit, Ditës së Çlirimit.
Më pas, qeveria emëroi Ridvan Hotin si zëvendësdrejtor ekzekutiv për trajnimin e të burgosurve në Shërbimin Korrektues të Kosovës.
Irfan Lipovica u emërua drejtor i përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Akreditimit, pasi kaloi fazën e testimit me 89.9 pikë të grumbulluara.
Qeveria aprovoi analizën juridike për thjeshtimin, bashkimin ose eliminimin e lejeve, ose licencave të lëshuara në kuadër të Autoritetit të Aviacionit Civil, Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Autoritetit të Hekurudhave të Kosovës, Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Autoritetit Rregullativ të Shërbimeve të Ujit, Komisionit të Pavarur për Media dhe Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.
U mor vendimi për anulimin në mënyrë të pjesshme vendimin përfundimtar Nr. 06/98 të datës 18 prill 2019, për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare ndërtimit të rrethrrotullimit të nevojshëm e të përshtatshëm për qytetarët sipas elaboratit të ri të shpronësimit për Qarkohet të Drejtorisë për Kadastër të Gjilanit.
Gjatë mbledhjes u miratua raporti i përgjithshëm vjetor mbi inspektimet.
Qeveria aprovoi udhëzuesit për inspektimet e përbashkëta. Inspektimet e përbashkëta luajnë rol vendimtar në avancimin e mbikëqyrjes ligjore dhe promovimin e pajtueshmërisë me standardet rregullative. Qëllimi kryesor është racionalizimi i burimeve duke garantuar interesin dhe të mirën publike.
Në mbledhje të qeverisë u plotësua dhe ndryshua vendimi Nr. 11/2025, i datës 21.03.2025, për emërimin e komisionit ad hoc për vlerësimin profesional për pranimin në pozitat e larta drejtuese në agjencitë ekzekutive të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Me këtë plotësimndryshim, kryesuesja e këtij komisioni, Afërdita Bekaj zëvendësohet me Lumnije Demin.