75 Mall Live Search
10:12 / E Mërkurë, 02 Prill 2025 / L A

Gabriel mund të mungojë ndaj Real Madridit

Arsenali mund të jetë pa qendërmbrojtësin Gabriel Magalhães për ndeshjen çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit javën e ardhshme.

Trajneri Mikel Arteta konfirmoi këtë të martë se braziliani pësoi një dëmtim në kofshë gjatë fitores 2-1 ndaj Fulhamit dhe u detyrua të largohej nga fusha pas vetëm 15 minutash lojë në “Emirates”.

Largimi i Gabrielit përbën një tjetër shqetësim për Artetën, i cili këtë sezon është përballur me dëmtime afatgjata të disa lojtarëve kyçë. Mbrojtësi holandez Jurrien Timber gjithashtu u detyrua të linte fushën në pjesën e dytë për shkak të një problemi në gju.

Pas ndeshjes, Arteta u shpreh se të dy lojtarët do të vlerësohen të mërkurën për të përcaktuar shkallën e dëmtimeve të tyre.

“Gabby ndjeu diçka në kofshë, ende nuk e dimë sa serioze është”, tha Arteta. “Jurrien ndjeu shqetësime që në fillim të ndeshjes, vazhdoi të luante, por në një moment nuk mundi më”.

Arsenali, do të përballet në fundjavë ndaj Evertonit në “Goodison Park” dhe më pas do të presë në “Emirates”, kampionin aktual të Evropës, Real Madridin.