75 Mall Live Search
14:23 / E Mërkurë, 02 Prill 2025 / mp

Vrasja e 22-vjeçares shqiptare në Itali, del fotografia e ish-të dashurit filipinez i dyshuar si autor i krimit

Ka dalë fotografia e të riut filipinez, i cili dyshohet të ketë vrarë 22-vjeçaren shqiptare Ilaria Sula, e cila u gjet e vdekur ditën e sotme, pasi rezultonte e zhdukur prej disa ditësh.

Sipas mediave të huaja, trupi i saj u gjet mëngjesin e sotëm në një zonë me pyje pranë Komunës së Polit, rreth 40 kilometra nga Roma.

I dyshuari kryesor për vrasjen është i dashuri i saj, Mark Samson, një 23-vjeçar me origjinë filipinase. Autoritetet italiane e kanë ndaluar dhe po e marrin në pyetje për akuzat e rënda të vrasjes me dashje dhe fshehjes së trupit. Sipas hetimeve paraprake, ai dyshohet se e kishte goditur me thikë disa herë Ilarian në apartamentin e tij në Via Homs, në lagjen “Africano” të Romës dhe më pas ka tentuar të zhdukte trupin.

Një detaj i rëndë që ka ndihmuar hetimet është fakti se, pas vrasjes, Samson ka vazhduar të përdorte telefonin e Ilaries për të dërguar mesazhe dhe për të postuar në rrjetet sociale, duke krijuar idenë se ajo ishte ende gjallë. Tabulatet telefonike kanë ndihmuar policinë të zbulonte të vërtetën dhe ta vendosnin atë në qendër të dyshimeve, shkruan “La Repubblica”, përciell A2 CNN-i.

Ilaria ishte studente në Fakultetin e Shkencave Statistike në Universitetin Sapienza të Romës dhe jetonte në një apartament me shoqet e saj në lagjen “San Lorenzo”. Mbrëmjen e 25 marsit, ajo doli nga shtëpia pa dhënë ndonjë shpjegim dhe nuk u kthye më. Familja e saj në Terni dha alarmin dhe policia italiane nisi kërkimet menjëherë.

Rektorja e universitetit, Antonella Polimeni, e cilësoi ngjarjen si një vrasje të tmerrshme që ka lënë të gjithë pa fjalë. “Në këtë moment dhimbjeje, jemi pranë familjes së Ilaries dhe gjithë komunitetit tonë studentor”, u shpreh ajo.

Ndërkohë, autoritetet po vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht këtë krim të rëndë dhe për të sjellë drejtësi për Ilaria Sulën, ëndrrat e së cilës u shuan në mënyrën më tragjike.