Hajrullah Çeku: Largimi i flamurit të Republikës së Kosovës në Kongresin e UEFA-së në Beograd është veprim i turpshëm

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Hajrullah Çeku ka reaguar në lidhje me ngjarjet e sotme në Kongresin e UEFA-së i cili u mbajt në Beograd, ku u largua flamuri i Republikës së Kosovës.
Ai ka thënë se ky ishte një eprim i turpshëm, i papranueshëm dhe i dënueshëm, shkruan IndeksOnline.
Çeku ka thënë se pret sqarime nga UEFA-ja dhe veprime efektive, derisa ka dënuar ashpër gjuhën e përdorur nga Federata e Serbisë në komunikatën e tyre.
Reagimi i plotë:
Largimi i flamurit të Republikës së Kosovës në Kongresin e UEFA-së në Beograd është veprim i turpshëm, i papranueshëm dhe i dënueshëm.
Kosova është shtet i pavarur, që përfaqësohet në botë përmes simboleve shtetërore. Federata e Futbollit e Kosovës është anëtare me të drejta të plota e UEFA-së.
Largimi i simboleve është sulm i drejtpërdrejtë ndaj integritetit shtetëror të Kosovës dhe si i tillë nuk mund të kalojë pa reagim të mirëfilltë ndërkombëtar.
Presim sqarime nga UEFA-ja dhe veprime efektive për të adresuar përgjegjësinë për këtë shkelje të rregullave të tyre të brendshme dhe këtë sulm ndaj shtetit të Kosovës.
Dënojmë ashpër gjuhën e përdorur nga Federata e Serbisë në komunikatën e tyre, e cila mjerisht, me vetëdije të plotë pranon të instrumentalizohet nga politika shoviniste serbe.
Shteti serb nuk ka ndryshuar, është i njëjti që ka kryer masakra e gjenocid para pak dekadash. As atëherë e as sot, nuk e ka kursyer as sportin.
Për këtë arsye, kërkojmë nga federatat europiane e botërore të sportit të mos organizojnë ngjarje sportive në Serbi për sa kohë ajo nuk e ndryshon qasjen në raport me pjesëmarrjen e Kosovës./IndeksOnline/