Rama ndërmerr veprime ligjore ndaj inspektorit Zogaj për bllokimin e projekteve në Prishtinë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ekipa ligjore e komunës ka nisur procedura ligjore ndaj inspektorit të Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore, duke iniciuar kallëzim penal për veprime në kundërshtim me ligjin dhe interesin publik.
Rama, përmes një postimi në facebook theksoi se të gjitha projektet transformuese që janë nisur në kryeqytet janë bllokuar dhe ndaluar nga autoritetet e qeverisë qendrore. Ai akuzoi strukturat qeveritare për bllokimin e projekteve jetike për qytetin, duke i cilësuar ato si veprime politike dhe të motivuara nga interesa të ngushta.
“Ekipa ligjore e Komunës së Prishtinës ka nisur procedura ndaj atyre që kanë kontribuar në bllokimin e projekteve! Kemi iniciuar kallëzim penal ndaj Inspektorit të Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore, për veprime në kundërshim me ligjin dhe interesin publik!”, shkruan Rama.
Ndërsa, theksoi se qytetarët meritojnë një qytet të zhvilluar dhe se do të vazhdojnë të luftojnë me çdo mjet për të siguruar zhvillimin dhe përparimin e kryeqytetit.
“Do të veprojmë me të njëjtën rrugë dhe vendosmëri ndaj çdo personi që guxon të shkelë ligjin dhe të cënojë të ardhmen e qytetarëve të Prishtinës! Qytetarët tanë meritojnë një qytet të zhvilluar, dhe ne do të luftojmë me çdo mjet që kemi në dispozicion për t’i siguruar atyre këtë të ardhme!”, ka shkruar Rama./IndeksOnline/