75 Mall Live Search
11:22 / E Mërkurë, 09 Prill 2025 / mp

Menaxhmenti i Telekomit edhe 1.6 milionë euro për një kompani të huaj, a është i kurdisur?

Dukuria e dhënies së tenderëve milionëshe për kompani me pronësi të huaj nga menaxhmenti i Telekomit të Kosovës nuk po ndalet. Përkundrazi po vazhdohet tradita e dikurshme kur për projekte inekzistente janë dhënë miliona euro që kurrë ato shërbime nuk i ka marrë ndërmarrja.

Qeveria me qëllim të “shpëtimit” nga falimentimi  viteve të fundit i kishte dhënë mbi 15 milionë euro në formë kredie për rimëkëmbje, por që këto shërbime akoma nuk janë realizuar.

Është tenderi për platformën IPTV që ka mbi  6 muaj që ky shërbim nuk u ofrohet qytetarëve ani pse janë paguar afro 1 milion euro nga ndërmarrja.

Dokumenti

Tash për një shërbim që duket të jetë i ngjashëm, menaxhmenti i kësaj ndërmarrje parasheh t’i jap edhe  1.6 milionë euro.

Sipas përshkrimit ky projekt duket të jetë e lidhur me projektin IPP-TV ku në shtator të vitit të kaluar e kishte shpërblyer me kontratë platformën shqipatre “Tring TV “ nga Shqipëria me vlerë 900 mijë euro, shkruan Indeksonline.

Edhe ky tender dyshohet se është kurdisur për një kompani të huaj, ku kanë listuar kërkesat janë në gjuhën angleze duke e specifikuar se ky tender hapet vetëm për kompani të huaja.

Në ndërkohë nga menaxhmenti i Telekomit, përmes përgjigjeve zyrtare ka arsyetuar dy tenderët.

“Aktiviteti i prokurimit të vitit të kaluar për sigurimin e kontentit televiziv të Tring, me vlerë të pritur 900 mijë euro ka përfunduar me nënshkrim të kontratës në mes te Telekomit të Kosovës dhe Tring. Kontrata ne fjale nuk ka të bëjë me projekt, por me blerjen e të drejtave të transmetimit të kanaleve televizive për tri vite, të cilat kanale pastaj rishiten tek konsumatorët tanë”, thuhet në përgjigjen e Telekomit.

Po ashtu në pyetjen se kur pritet të përfundoj si projekt ata kanë thanë se  nuk kemi të bëjmë me  projekt,  por me blerjen e të drejtave të transmetimit të  kanaleve televizive për tri vite.

“Kontrata për blerjen e kontentit televiziv të Tring është nënshkruar dhe është në implementim e sipër, për afat kohor 3 vjeçar – më saktësisht 36 muaj nga i nënshkrimit të kontratës”, thuhet në përgjigje.

Ndërsa për tenderin tjetër kanë thënë se nuk kanë lidhje direkte mes vete.

“Tenderi me numër të prokurimit (TK-25-2186-1-1-1) me titull Furnizim me XGS-PON ONT” është publikuar me daten 20.03.2025

“Duhet kuptuar se këtu bëhet fjalë për aktivitete të prokurimit  që nuk kanë lidhje direkte mes vete. Përderisa lidhur me kontratën për kontent, me Tring, I keni përgjigjet më lartë, ndërsa lidhur me tenderin për të cilin flisni në pyetjet 3 dhe 4, kemi të bëjmë me furnizim me pajisje të cilat janë për shfrytëzuesin fundor të shërbimeve të Telekomit të Kosovës, pra, jo vetëm për kontent televiziv.”, thuhet në përgjigje.

 Lidhur me pyetjen që ka të bëjë me gjuhën angleze, kanë dhënë sqarime duke thënë se  tek dosja e tenderit Aneksi 1. SPECIFIKIMET TEKNIKE TË DETYRUESHME shkruan:

Shënim: Përshkrimi i specifikave teknike është dhënë vetëm në gjuhën angleze për arsye se prodhuesit e mundshëm janë kryesisht nga jashtë territorit të Republikës së Kosovës, si dhe ruajtjes së origjinalitetit të përshkrimit dhe shmangies së dykuptimësive.

Kjo është në përputhje me rregulloren për prokurimin publik, versioni i konsoliduar neni 17.14  ku shkruan “Në rast kur specifikimet teknike dhe/ose informacione tjera komerciale të përfshira në dosje të tenderit apo anekse të sajë shprehen në mënyrën më efikase përmes përdorimit të gjuhës Angleze ose ndonjë gjuhe tjetër të zakonshme komerciale, autoritetet kontraktuese nuk kanë nevojë që të përgatitin specifikimet e tilla dhe/ose informacionet në gjuhët Shqipe dhe Serbe….”)

“Projekti i fundit i hapur është projekt investiv,për blerjen e pajisjeve telekomunikuese që mundësojnë ofrimin  e të gjitha shërbimeve të Telekomit përmes rrjetit optik, siç janë shërbimet e internetit, zërit, kontentit televiziv (iptv, ott), etj”, thuhet në përgjigje. /Indeksonline/