75 Mall Live Search
16:06 / E Martë, 15 Prill 2025 / MSH

“Termokos-i” përmbyll sot sezonin e ngrohjes

Ndërmarrja Publike “Termokos” do të përfundojë sot furnizimin me ngrohje, për sezonin ngrohës 2024/2025.

Në njoftimin e “Termokos” thuhet se vendimi për përfundimin e sezonit ngrohës 2024/2025 është në harmoni të plotë me rregulloren e ZRRE-së për kushtet e përgjithshme të furnizimit me energji, si dhe i bazuar në kushtet aktuale klimatike e parashikimet e meteorologëve për motin ditëve të ardhshme.

“Është ky edhe një sezon tjetër nga më të suksesshmit, gjatë të cilit është ofruar ngrohje e mjaftueshme dhe cilësore përgjatë 181 ditëve për mbi 25 mijë konsumatorë të kyçur në rrjetin e ngrohjes”, thuhet në njoftim.  

Sipas “Termokos”, gjatë këtij sezoni ngrohës janë prodhuar 362,520 MWh energji termike, apo 10% më shumë se sezonën e kaluar.

“Rrjeti i ngrohjes është zgjeruar edhe për 33 objekte banesore (prej të cilave 1 objekt shkollor dhe 2 objekte afariste) me 854 njësi banimi dhe me një sipërfaqe totale prej 72, 630.94 m/2”, thuhet tutje në njoftim.

Kujtojmë se gjatë këtij sezoni për herë të parë ka filluar zbatimi i metodës së re të faturimit, sipas shpenzimit.