75 Mall Live Search
21:58 / E Mërkurë, 16 Prill 2025 / Z S

Koci: Drejtësia për Afrim Bunjakun është detyrim i Republikës së Kosovës

Avokati Arianit Koci, ka thënë se nesër vazhdon gjykimi për sulmin terrorist në Banjska, ku ishte vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, heroi Afrim Bunjaku.

Më tutje ai u shpre se ai e përfqëson si avokat familjen e tij. Koci u shpreh se qëllimi i sulmuesëve ishte i qartë: ndarja territoriale e veriut dhe sfidimi i sovranitetit të shtetit tonë.

Postimi i plotë:

Nesër vazhdon gjykimi për sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, heroi Afrim Bunjaku.

Unë jam avokati i familjes së tij.

Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur, i trajnuar dhe i dirigjuar, kreu një ndër sulmet më të rënda kundër rendit kushtetues të Kosovës.

Qëllimi ishte i qartë: ndarja territoriale e veriut dhe sfidimi i sovranitetit të shtetit tonë.

Afrim Bunjaku ra në detyrë, duke mbrojtur territorin e Republikës së Kosovës.

Nuk jemi përballë një rasti të zakonshëm penal, por përballë një akti kriminal me prapavijë politike dhe struktura terroriste të organizuara pas tij.

Ky proces gjyqësor është më shumë se drejtësi individuale – është mbrojtje e rendit kushtetues.

Të gjitha të drejtat që u takojnë të akuzuarve do të garantohen. Jemi shtet serioz.

Por gjykimi duhet të jetë efikas.

Pa zvarritje.

Pa amnisti të heshtur.

Drejtësia për Afrim Bunjakun është detyrim i Republikës së Kosovës.

Sepse ai ka rënë për të./Indeksonline/