75 Mall Live Search
10:09 / E Enjte, 17 Prill 2025 / FR

Rasti “Banjska”/ Hetuesi detyrohet të largohet nga seanca

Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, të akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, sot dolën përpara trupit gjykues në Gjykatën e Prishtinës.

Pjesëmarrës në seancë janë edhe familjarët e rreshterit të vrarë nga ky sulm, Afrim Bunjaku, bashkë me avokatin përfaqësues, Arianit Koci.

Gjyqtari i rastit, Arben Hoti, nuk lejoi avokaten e njërit prej të dyshuarve që të ulet pranë tij, në vend të zyrtarit policor, për shkak të rregullave të Shërbimit Korrektues, shkruan IndeksOnline.

Hoti nisi seancën e shqyrtimit gjyqësor duke i ftuar për paraqitje të pandehurit, për të vijuar më pas me konfirmimin se nuk ka ndryshime në të dhënat e tyre.

Mbrojtja e të akuzuarve e pa të arsyeshme si të panevojshme leximin e aktakuzës, meqenëse u lexua në seancat paraprake.

Pranë prokurorit të rastit, janë të ulur bashkëpunëtorët e tij, përfshirë dhe hetuesi nga Departamenti Anti-terrorizëm, me këtë të fundit që avokatët e të pandehurve e konsideruan si të panevojshëm për t’u ulur pranë prokurorit.

Kërkesa e avokatëve të të pandehurve u aprovua nga trupi gjykues, që kërkoi nga hetuesi të lirojë sallën.

Ky i fundit respektoi kërkesën e trupit gjykues dhe u largua nga seanca./IndeksOnline/