75 Mall Live Search
20:14 / E Premte, 18 Prill 2025 / MSH

Si e sheh Lugina emërimin e Demo Berishës si ministër në Serbi? Flasin Sinani, Mustafi dhe Ferati-Sachsenmaier

Zgjedhja e Demo Berishës si ministër për të Drejtat e Njeriut, Pakicave dhe për Dialog Social në Serbi, ka zemëruar shumë shqiptarë në Luginë dhe jo vetëm.

Figura politike dhe sociale po e shohin këtë emërim si cenim të të drejtave të komunitetit shqiptar në Serbi, si problem shtesë mbi skenarin për shtypjen e të drejtave të shqiptarëve.

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, thotë se Demo Berisha nuk vjen nga Lugina, dhe se njëjtë sikurse nuk e njeh realitetin shqiptar, ai nuk njeh as historinë, as dhimbjen e as betejat për barazi dhe dinjitet.

Në një intervistë për IndeksOnline, Sinani ka deklaruar se Berishën nuk e sheh si përfaqësues të shqiptarëve, por si një figurë të vendosur për të krijuar iluzionin e një bashkëjetese që në praktikë – nuk ekziston.

“Deklaratat e tij publike për mosnjohjen e shtetit të Kosovës janë thellësisht fyese, jo vetëm për popullin tonë, por për çdo shqiptar që ka vuajtur dhe rezistuar për të drejtën e vet kombëtare.

Kjo nuk është thjesht një çështje politike–është një çështje dinjiteti”, u shpreh Sinani.

E para e Preshevës jo rrallë herë ka ngritur zërin për diskriminimin që shteti serb ushtron mbi shqiptarët e Luginës, duke nisur nga mohimi i simboleve dhe gjuhës shqipe, e deri të përjashtimi nga institucionet, mohimi i të drejtave bazike dhe pasivizimi i adresave.

“Presheva kërkon përfaqësim autentik, të ndershëm dhe të lidhur me vullnetin e popullit. Ne nuk jemi popull që pret emërime nga lart–jemi një popull që flet vetë, vepron vetë dhe kërkon me vendosmëri të drejtën për të jetuar të lirë dhe të barabartë në vendin tonë.

Shqiptarët e Luginës janë të vetëdijshëm dhe nuk harrojnë. Ata nuk përfaqësohen nga askush që e mohon identitetin e tyre dhe shtetin e Kosovës, që është realitet dhe krenari për gjithë kombin shqiptar”, pohoi Sinani.

Nga ana tjetër, ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, thotë se ky është një “realitet brutal politik” në Serbi, ku po thellohet autoritarizmi, retorika nacionaliste dhe instrumentalizimi i institucioneve kundër qytetarëve dhe minoriteteve.

“Emërimi i Demo Berishës, që e quan sulmin e armatosur në Banjskë një ‘luftë për mbijetesë’, tregon që kjo qeveri nuk është e interesuar për të drejtat e minoriteteve, por për manipulimin e tyre për qëllime politike.

Për shqiptarët e Luginës së Preshevës, një qeveri me këtë përbërje është alarmante. Paralajmërim për përballje me struktura që i shohin shqiptarët si kërcënim dhe jo si pjesë përbërëse të shoqërisë”, tha Mustafi.

Mustafi thotë për IndeksOnline se kjo qeveri nuk duhet të legjitimohet përmes retorikës boshe pro-evropiane.

“Partnerët ndërkombëtarë duhet të shohin përtej fasadës dhe të veprojnë kundër, rrënimit të të drejtave të njeriut.

Dhe nuk duhet të heshtin përballë një qeverie që do të na margjinalizon e diskriminon shqiptarët më tej. Evropa nuk është ndërtuar duke toleruar simbole fashiste dhe politikë të urrejtjes” deklaroi Mustafi.

Berisha u propozua për ministër nga presidenti serb, Aleksander Vuçiq. Emërimi për ministër i një shqiptari që nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, por si pjesë të Serbisë, mund të përkojë me politikat anti-shqiptare të Vuçiqit.

Të njëjtin mendim ndan edhe ekspertja akademike, Dr. Flora Ferati-Sachsenmaier.

Ka kohë që Ferati-Sachsenmaier bën thirrje publike se kushdo që dialogon me Berishën duhet të shpallet si person “non-grata” nga komuniteti shqiptar në Serbi, ani pse Berisha nuk ka asnjë votë e asnjë përkrahje nga shqiptarët atje.

“Demo Berisha përfaqëson vetëm autokratin Aleksandar Vuçiq dhe politikat e tija agresive e destabilzuese në Ballkanin Perëndimor. Para disa vitesh, ai është përpjekur që ta marrë nën kontroll Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi, por ka dështuar”, ka deklaruar Ferati-Sachsenmaier, në një opinion të ndarë së fundmi në rrjetet sociale./IndeksOnline/