Rexhepi e shqetësuar me informacionet se u gjetën fletëvotime të dëmtuara
Kryetarja e Partisë së re Demokratike, Emilia Rexhepi, ka shprehur shqetësimin lidhur me informacionet se në një vendvotim në fshatin Jabllanicë janë gjetur fletëvotime të dëmtuara.
“Prej vitesh kemi paralajmëruar se në disa fshatra boshnjake, veçanërisht në Jabllanicë, Pouskë, Reçan dhe Lokvicë, në çdo proces zgjedhor paraqitet një numër më i madh fletëvotimesh në kutitë e votimit sesa numri i banorëve të këtyre fshatrave. Sot, falë komisionerëve dhe vëzhguesve tanë, kemi vërejtur me kohë parregullsi të mundshme dhe rasti është raportuar te organet kompetente. Me shqetësim të madh po i përcjell informacionet lidhur me incidentin në vendvotimin 2069/01 në fshatin Jabllanicë, ku janë gjetur fletëvotime të dëmtuara”, ka shkruar ajo në Facebook”.
Ajo i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë kompetente, si dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, që ta hetojnë urgjentisht, në mënyrë të plotë dhe deri në fund këtë rast, si dhe të ndëshkojnë ashpër përgjegjësit nëse vërtetohen parregullsi.
“Ftoj të gjithë komisionerët, vëzhguesit dhe qytetarët tanë që të raportojnë çdo parregullsi, çdo presion ndaj votuesve dhe çdo përpjekje për vjedhjen e votave. Vetëm përmes veprimit të përbashkët mund ta mbrojmë integritetin e procesit zgjedhor. Partia e Re Demokratike do të vazhdojë të luftojë me të gjitha mjetet demokratike dhe ligjore për mbrojtjen e çdo vote dhe të çdo qytetari. Vullneti i popullit nuk është në shitje dhe nuk guxon të jetë objekt manipulimi”, tha ajo.

