Një person shoqërohet i prangosur në stacionin policor në Pejë, menjëherë pas tentim vrasjes (Video)

Një person shoqërohet i prangosur në stacionin policor në Pejë, menjëherë pas tentim vrasjes
IndeksOnline ka siguruar pamje ekskluzive nga momenti kur një person shihet duke u shoqëruar i prangosur në ambientet e Stacionit Policor në Pejë, vetëm pak minuta pas një incidenti të rëndë me armë zjarri që tronditi qytetin sot në mesditë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 12:20 në rrugën “Vëllëzërit Gërvalla”, në afërsi të stacionit të autobusëve, ku dyshohet se ka ndodhur një tentim vrasje.
Zëdhënësi për informim në Policinë Rajonale të Pejës, Driton Rugova, konfirmoi për IndeksOnline se: “Sot rreth orës 12:20 kemi marrë informata për të shtëna me armë në rrugën ‘Vëllëzërit Gërvalla’. Menjëherë kemi dalë në vendin e ngjarjes. Aktualisht jemi në grumbullim të provave dhe informacioneve”.
Sipas burimeve të IndeksOnline, në këtë rast janë përfshirë dy persona të dyshuar: Miftar Dobraj dhe Dardan Manaj – “Manilla”, ndërkohë që në vendin e ngjarjes u panë disa patrulla të Policisë së Kosovës që reaguan me shpejtësi duke siguruar perimetrin dhe duke ndërmarrë veprime operative.
Identiteti i personit të shoqëruar ende nuk është bërë publik, ndërkohë Policia dhe Prokuroria nuk kanë dhënë asnjë qëndrim zyrtar lidhur me motivin e ngjarjes dhe nëse ka persona të lënduar.
IndeksOnline do të vazhdojë të raportojë me detaje të reja lidhur me këtë rast në zhvillim.