75 Mall Live Search
20:40 / E Martë, 22 Prill 2025 / MSH

Haxhiu e përmend gjykimin në mungesë për “Banjska-n”, por Gjykata e refuzoi të premten këtë gjë

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaroi se pas ndryshimeve të fundit në Kodin e Procedurës Penale, tani mund të aplikohet gjykimi në mungesë, edhe në rastet e veprave të rënda penale.

Duke iu referuar këtij ndryshimi, Haxhiu përmend rastin e sulmit terrorist në Banjskë, si një mundësi për të aplikuar këtë lloj të gjykimit, shkruan IndeksOnline.

“Pavarësisht kësaj mundësie ligjore, s’ka dyshim që vlera e dobia janë të shumëfishta kur kryeterroristi Millan Radojiçiq dhe 44 paramilitarët e tij, të dorëzohen në Republikën e Kosovës dhe të përballen drejtpërdrejt me drejtësinë.

Millan Radojiçiq është kryetar de facto i Listës Serbe. Kjo u bë edhe më e qartë kur kryetari formal i saj, Zlatan Elek, u radhit si i shtati me numrin e votave në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe, pas marrjes së mandatit të deputetit, e detyruan të jap dorëheqje. Certifikimi i Listës Serbe për zgjedhjet e fundit ka qenë një gabim i rëndë dhe i pafalshëm. Millan Radoiçiq & Co. duhen gjykuar në Kosovë me ose pa ekstradim, sa më pare”, u shpreh Haxhiu.

Por, duket se ish-ministrja e Drejtësisë nuk ka vënë re vendimin e së premtes të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Pavarësisht kërkesës së Prokurorisë Speciale, për gjykim në mungesë të të dyshuarve për sulmin në Banjskë, një kërkesë e tillë u refuzua nga Gjykata, duke u cilësuar si “e pabazuar”.

“Në këtë fazë të procedurës nuk mund të procedohet me gjykimin në mungesë ndaj të pandehurve që gjenden në arrati, pasi nuk janë plotësuar kushtet e përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin Penal të Republikës së Kosovës për gjykim në mungesë”, tha Gjykata Themelore.