Katari: Ka përparim në bisedimet për armëpushim në Gaza

Kryeministri dhe njëherësh ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, ka deklaruar të dielën se përpjekjet për një armëpushim të ri në Gaza kanë shënuar përparim.
“Ne pamë pak përparim të enjten krahasuar me takimet e mëparshme, por ende mbetet pa përgjigje pyetja kryesore: si t’i japim fund kësaj lufte. Kjo është çështja kyçe e të gjitha negociatave”, tha ai, raporton Reuters.
Sipas raportimeve të Axios, drejtori i inteligjencës izraelite, “Mossad”, David Barnea, ka udhëtuar të enjten në Doha për t’u takuar me Sheikh Mohammedin në kuadër të këtyre përpjekjeve.
Sheikh Mohammed nuk ka specifikuar për cilat pika të bisedimeve është arritur përparim, por ka sqaruar se Hamasi dhe Izraeli vazhdojnë të kenë mosmarrëveshje për qëllimin përfundimtar të negociatave.
Ai tha se Hamasi është i gatshëm të lirojë të gjithë pengjet izraelite të mbetura në Gaza, nëse Izraeli bie dakord të ndalojë përfundimisht luftën. Ndërsa, sipas tij, Izraeli kërkon lirimin e pengjeve pa u zotuar për një fund të qartë të luftës.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, bëri të ditur se bisedimet me Hamasin kanë treguar që grupi është më i hapur për një marrëveshje më të gjerë, që përveç një armëpushimi, do të synonte edhe një zgjidhje të qëndrueshme me Izraelin, përfshirë edhe zgjidhjen me dy shtete.
Izraeli rifilloi ofensivën në Gaza më 18 mars, pas prishjes së armëpushimit të janarit, duke deklaruar se nuk do të ndalë presionin ndaj Hamasit derisa të lirohen të gjitha pengjet e mbetura, nga të cilët besohet se 24 janë ende gjallë.