75 Mall Live Search
12:09 / E Enjte, 01 Maj 2025 / S Z

Propozimi për votim të fshehtë të kryeparlamentarit, Krasniqi: Krijon hapësirë për manipulime e blerje votash, e shndërron procesin në akt të korruptuar

Për të nëntën herë sot ka dështuar seanca konstituive e kuvendit të Kosovës. Por kësaj radhe kryesuesi i seancës propozoi që votimi për kryeparlamentarë të bëhet në mënyrë të fshehtë. Gjë që u kundërshtua nga partitë opozitare.

E lidhur me këtë ka reaguar dhe analisti politik Albert Krasniqi. Krasniqi ka thënë se mënyra e fshehtë e votimit, krijon hapësirë për manipulime dhe blerje votash, duke e shëndërruar procesin në një akt të korruptuar.

“Duke llogaritur se përmes votimit të fshehtë mund të sigurohen vota që nuk u siguruan në votim të hapur, kjo krijon hapësirë për manipulime dhe blerje të mundshme votash, duke e shndërruar procesin në një akt të korruptuar. Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit në këtë mënyrë do të përbënte një veprim të papranueshëm dhe të ulët në aspektin politik. Lëvizja Vetëvendosje, në këtë rast, duket qartë se po abuzon me të drejtën për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit. Këtë të drejtë duket tashmë që veçse e ka humbur, ashtu siç ka humbur sot edhe besimin e dhënë nga PDK, e cila kishte besuar në një zgjidhje përmes dialogut’, ka thënë Krasniqi. .

Postimi i plotë i Krasniqit:

Votimi i fshehtë është i paraparë për seancat plenare, të cilat janë seanca të rregullta pune gjatë gjithë mandatit të Kuvendit. Seanca konstituive, nga ana tjetër, është seanca e parë, themeluese e Kuvendit pas zgjedhjeve, me një rend dite të paracaktuar dhe me rregulla që nuk mund të ndryshohen gjatë zhvillimit të saj.

Duke llogaritur se përmes votimit të fshehtë mund të sigurohen vota që nuk u siguruan në votim të hapur, kjo krijon hapësirë për manipulime dhe blerje të mundshme votash, duke e shndërruar procesin në një akt të korruptuar. Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit në këtë mënyrë do të përbënte një veprim të papranueshëm dhe të ulët në aspektin politik.

Lëvizja Vetëvendosje, në këtë rast, duket qartë se po abuzon me të drejtën për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit. Këtë të drejtë duket tashmë që veçse e ka humbur, ashtu siç ka humbur sot edhe besimin e dhënë nga PDK, e cila kishte besuar në një zgjidhje përmes dialogut.

VV duhet përfundimisht ose të propozojë një kandidat tjetër konsensual nga radhët e veta, ose partitë e tjera duhet të ndërmarrin hapa për të provokuar një vendim për të kërkuar pastaj interpretim nga Gjykata Kushtetuese, me qëllim që të gjendet një zgjidhje në përputhje me rendin kushtetues.