Supermodelja përjashtohet nga Met Gala

Naomi Campbell është përjashtuar nga Met Gala 2024 pas një përplasjeje me kryeredaktoren e Vogue, Anna Wintour.
Supermodelja 54-vjeçare, e cila ka marrë pjesë 21 herë në natën më të madhe të modës, dyshohet se u përjashtua pas një incidenti me Annën në shtatorin e kaluar, gjatë një eventi të industrisë.
Gjatë ceremonisë së “Harlem’s Fashion Row” në Javën e Modës në New York, vonesa e Naomit shkaktoi probleme, shkruan DailyMail.

Në skenë, Naomi befasoi turmën me një deklaratë që thuhet se shkaktoi grindjen: “Nuk ishte zgjedhja ime të kisha zonjën tjetër, do të preferoja shumë më tepër këtë”.
Pas këtij episodi, burime për The Sun thanë: “Naomi qëlloi veten me atë koment. Nuk e kritikon mbretëreshën e modës dhe prapë pret të ecë në tapetin e saj të kuq… Nëse Anna do që të largohesh, je larguar”.
Megjithëse nuk është në listën e të ftuarve të këtij viti, Naomi së fundmi ka deklaruar në një video në YouTube: “Është e fundit për mua. Nuk mundem… Jam shumë e vjetër. Ankthi është shumë për mua. Nuk e di se çfarë numri është ky, mendoj se mund të jetë ose 20 ose 21. A mund ta imagjinoni?”