BE-ja me pako të re sanksionesh për Rusinë

Komisioni Evropian ka propozuar sot paketën e 17-të të sanksioneve kundër Rusisë, duke synuar përforcimin e presionit ndaj Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.
Në këtë paketë përfshihen masa të reja ndaj individëve dhe mbi 100 anije që i përkasin të ashtuquajturës “flotë hije” të Rusisë, e përdorur për të shmangur sanksionet ekzistuese dhe për të transportuar naftë në mënyrë të fshehtë.
Një nga pikat e veçanta të propozimit është zgjatja e përjashtimit nga sanksionet për projektin energjetik rus Sakhalin-2 deri në qershor 2026, për shkak të rëndësisë strategjike që ka për Japoninë.
Sipas diplomatëve të BE-së, propozimi ka ardhur më herët nga sa ishte parashikuar dhe është mbajtur “i thjeshtë”, pa konsultime joformale paraprake me shtetet anëtare – një praktikë që ka qenë e zakonshme në paketat e mëparshme. Megjithatë, pritet që miratimi të ecë shpejt, me diskutimet e para që nisin të mërkurën.
Paketa e re vjen në një kohë kur BE-ja po përpiqet të godasë më fort ekonominë ruse dhe të ndërpresë burimet alternative të të ardhurave të Kremlinit.