Deklarohet i pafajshëm doktori i cili po akuzohet se i dha pacientes terapi të gabuar e që më pas ajo ndërroi jetë

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Çem Bagdatli është deklaruar i pafajshëm për akuzën se në cilësinë e doktorit i ka dhënë terapi të gabuar pacientes F.R., e cila më pas ka ndërruar jetë.
“Jo, nuk ndihem fajtor”, deklaroi i akuzuari Bagdatli pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fatmire Cacaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Seanca vazhdoi me fjalën hyrëse, ku prokurorja Cacaj tha se me provat mbi të cilat është ngritur aktakuza do të vërtetohet përtej dyshimit të bazuar mirë se i akuzuari me veprimet e tij të kundërligjshme ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Gjithashtu, prokurorja tha se pas administrimit të të gjitha provave do të vërtetohet gjendja faktike e përshkruar në aktakuzë dhe se i akuzuari do të shpallet fajtor për veprën që i vihet në barrë.
Ndërsa, mbrojtësja e të akuzuarit Bagdatli, avokatja Florije Malaj tha se e kundërshtojnë aktin akuzues të Prokurorisë, pasi që konsiderojnë se kësaj aktakuze i mungojnë standardet e të provuarit përtej dyshimit të bazuar.
Malaj tha se mbrojtja konsideron se në këtë rast nuk janë përmbushur elementet e veprës penale pasi që nuk është e qartë se me cilin veprim është kryer vepra penale dhe Prokuroria nuk ka arritur të argumentojë se me cilat veprime i mbrojturi i saj ka konsumuar elementet e veprës penale.
Po ashtu, ajo tha se gjatë këtij procesi gjyqësor do të konstatohet se i mbrojturi i saj ka vepruar në përputhje me praktikat dhe standardet e njohura mjekësore në kohën e dhënies të ilaçeve.
Gjithashtu, avokatja tha se pas administrimit të provave materiale e personale do të dëshmohet se i mborjturi i saj nuk e ka kryer veprën penale për të cilën po akuzohet dhe se kjo gjykatë do të sjellë aktgjykim lirues ndaj tij.
Ndryhe, seanca planifikohej të vazhdonte me dëgjimin e palës së dëmtuar- Xh.R (bashkëshorti i tani të ndjerës), mirëpo avokati i palës së dëmtuar- Arianit Nikqi tha se është angazhuar tash së fundmi dhe nuk është i pajisur me shkresat e lëndës.
Ai tha se i nevojiten shkresat e lëndës për pyetjet eventuale që mund t’i ketë, andaj kërkoi që seanca të ndërprehet.
Këtë propozim nuk e kundërshtuan palët në procedurë dhe u aprovua nga kryetarja e trupit gjykues, Sulltane Hoti.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 27 gusht 2019, Çem Bagdatli akuzohet se duke ushtruar profesionin e mjekut, me rastin e dhënies së ndihmës mjekësore, ka përdour një mjet apo metodë të papërshtatshme të mjekimit dhe me këtë rast ka shkaktuar keqësimin e gjendjes shëndetësore të pacientes F.R., e cila më pas ka vdekur.
Aktakuza thotë se më 12 qershor 2017 tani e ndjera F.R., kishte shkuar për kontroll në Klinikën Istambul Medical Center. Atë e kishte kontrolluar dëshmitarja- doktoresha Alije Keka, e cila i ka dhënë terapinë e nevojshme- në mesin e së tyre antibiotik (ampulë gentamicin i cili nuk hyn në grupin e penicilinave e as cefalosporinave).
Ndërsa, në ditën kritike më 13 qershor 20217, aktakuza thotë se tani e ndjera së bashku me bashkëshortin e saj Xh.R., kanë shkuar në këtë klinikë për kontroll, ku F.R., është kontrolluar nga doktori Çem Bagdatli dhe ia ka dhënë terapinë, teksa bashkëshorti e kishte pritur tani të ndjerën jashtë. Por, pas rreth 5 minutash, stafi i spitalit është alarmuar dhe tani të ndjerën e kanë vendosur në dhomë tjetër, ku kishte filluar që t’i vështirësohej frymëmarrja. Mjekët i kanë dhënë frymëmarrje artificiale dhe adrenalinë, anti-shok dhe e kanë thirrë emergjencën e QKUK-së.
Mirëpo, në aktakuzë thuhet se tani e ndjera vetëm se kishte ndërruar jetë si pasojë e dhënies së terapisë së gabuar nga i akuzuari Bagdatli, ku deri të vdekja ka ardhur si pasojë e shokut anafillaktik pas marrjes së injeksionit në mënyrë intramuskulare të ampulës Ceftriaksion, edhe pse doktoresha Keka në raportin e një dite më parë e ka theksuar se tani e ndjera ka pasur alergji në ceftriaksion dhe e gjithë kjo ngjarje ka ndodhur brenda rreth 25 minutash.
Me këtë, i akuzuari Çem Bagdatli po akuzohet se ka kryer veprën penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor” nga neni 260, par.1 lidhur me par.4 të Kodit Penal.