Bajrami thotë se LDK është e hapur për takime me presidenten për zgjidhjen e ngërçit institucional

Deputetja Hykmete Bajrami tha se LDK është e hapur për një takim me të gjitha partitë parlamentare.
E pyetur nëse LDK do të marrë pjesë nëse presidentja Vjosa Osmani do ta thërriste një të tillë – siç kërkoi dje PDK-ja – Bajrami tha se s’mund ta japë përgjigjen e saktë pa e ditur qëllimin se për çfarë ftohet ky takim.
“Jemi të hapur që të jemi prezentë në takime të tilla për të nxjerrë vendin nga ngërçi institucional. Varet se për çfarë ftohet dhe çfarë qëllimi do të ketë. Nuk mund të jap përgjigje në pyetje hipotetike. Ka qenë propozim i yni që të gjitha partitë parlamentare të mblidhen diku për t’i dhënë zgjidhje ngërçit politik” tha deputetja e LDK-së.
Bajrami tha se një propozim për takim të të gjitha partive parlamentare e ka dhënë LDK me synimin që ai të shërbejë për të nxjerrë vendin nga ngërçi institucional.
Partia Demokratike e Kosovës dje pas mbledhjes së rregullt të Kryesisë ka propozuar një takim me të gjitha subjektet politike parlamentare që do ta thërriste presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Osmani më parë kishte shprehur gatishmërinë për t’i mirëpritur liderët partiakë për të diskutuar mbi hapat zhbllokues të institucioneve të vendit./Indeksonline/