Gërvalla në Varshavë: Kosova, demokracia më e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor

Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, po merr pjesë në takimin e përbashkët të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, si dhe të shteteve kandidate dhe me status kandidat potencial në Varshavë të Polonisë.
Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook Gërvalla u shpreh se atje shkoi me ftesë të Presidencës Polake të Këshillit të Bashkimit Europian, ministrit të Jashtëm të Polonisë, Radosłaë Sikorski.
Më tutje Gërvalla u shpreh se Kosova nuk kërkon vetëm integrim në BE, por edhe jep kontribut ndaj projektit të përbashkët europian.
“Kosova, si demokracia më e qëndrueshme dhe vendi më pro-evropian në Ballkanin Perëndimor, mori pjesë në këtë tryezë me qëndrime të qarta dhe me bindjen se zëri ynë është i pazëvendësueshëm për të ardhmen e rajonit. Si një shtet që ka ndërtuar institucione funksionale, ka forcuar sundimin e ligjit dhe ka dëshmuar përkushtim të palëkundur ndaj reformave dhe vlerave evropiane, Republika e Kosovës sjell përvojën e një vendi që nuk kërkon vetëm integrim, por kontribuon me përgjegjësi ndaj projektit të përbashkët evropian” u shpreh Gërvalla.
Në Varshavë, riafirmojmë se Republika e Kosovës është dhe mbetet një aleate dhe partnere e besueshme e Bashkimit Evropian, një faktor stabiliteti, sigurie dhe progresi demokratik, në rajon dhe në gjithë kontinentin shtoi më tutje ajo./Indeksonline/