Kurti mori pjesë në hapjen e edicionit të 15-të të festivalit Chopin Piano Fest Prishtina

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmjen e sotme mori pjesë në hapjen e festivalit Chopin Piano Fest Prishtina, me rastin e shënimit të edicionit të 15-të, i cili u mbajt në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë.
E konsideruar si një prej ngjarjeve më domethënëse kulturore në vendin tonë, kryeministri Kurti në hapjen solemne të këtij festivali, tha se Chopin Fest nuk është vetëm një festë e pianos, por edhe e bashkimit shoqëror, edukimit artistik dhe diplomacisë kulturore.
Ky festival që mban emrin e figurës së njohur botërore Frédéric Chopin, si një prej emrave më unifikues në historinë e pianizmit botëror, është më shumë se një seri koncertesh. Si i tillë mbështet talentët e rinj, promovon trashëgiminë muzikore, dokumenton krijimtarinë dhe nxit diplomacinë përmes artit.
“Chopin Fest në Kosovë është tashmë një traditë e konsoliduar. Ajo pasqyron hapjen tonë ndaj botës, pasionin për muzikën dhe përkushtimin për cilësi. Edhe këtë vit, programi i festivalit është i pasur dhe mbresëlënës, me artistë nga Polonia, Franca, Hungaria, Ukraina, Austria, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Lituania, Kuba, Suedia, dhe natyrisht, Kosova. Kjo është një dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit ndërkombëtar dhe vendit që Kosova po fiton në hartën kulturore globale”, tha kryeministri Kurti.
Ndër të tjera ai shtoi se si Qeveri e Republikës dhe përmes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, riafirmojmë përkushtimin tonë për të mbështetur sektorin e pavarur kulturor dhe për të krijuar kushte të reja zhvillimi për festivalet që janë pasuri kombëtare.
“Faleminderit të gjithë artistëve që do të performojnë, institucioneve që mbështesin, dhe mbi të gjitha publikut që e bën këtë ngjarje kaq të gjallë. Dhe një falënderim i veçantë për organizatorët: ju nuk krijoni vetëm muzikë të bukur, por edhe një shoqëri më harmonike dhe një progres më ritmik”, përfundoi fjalën e tij Kurti.