Berisha-Muharremi ftohet në një Kongres të madh ndërkombëtar të shëndetsisë

Endokrinologia dhe profesoresha e njohur nga Kosova, dr. Venera Berisha-Muharremi, ka bërë të ditur se është ftuar të marrë pjesë si ligjëruese në disa nga kongreset më prestigjioze ndërkombëtare në fushën e mjekësisë.
Kështu ka bërë të ditur, dr. Berisha-Muharremi përmes një postimi në facebook.
Ajo theksoi se përmes punës së saj në fushën e fotobiomodulimit me laser për trajtimin e gjëndrës tiroide, Kosova është renditur në mesin e pesë shteteve që aplikojnë këtë metodë të avancuar. Kjo arritje i ka mundësuar asaj të ftohet në kongrese ndërkombëtare në vende si Japonia, SHBA, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kina dhe shumë vende të Evropës.
“Kur shkenca dhe pasioni bashkohen, ndodhin ndryshime që lënë gjurmë!” Kosova në mesin e 5 shteteve në botë për Fotobiomodulim të gjëndrës tiroide!
Falë inovacionit dhe punës së palodhshme në fushën e Fotobiomodulimit me laser, kam vendosur Kosovën në mesin e pesë shteteve që aplikojnë këtë trajtim unik për gjëndrën tiroide. Kjo më ka dhënë mundësinë të jem e ftuar si ligjëruese në Kongreset prestigjioze në Evropë por edhe përtej saj, në kontinentet tjera botërore”, ka shkruar Berisha-Muharremi.
Ndër ftesat më të fundit që ka pranuar janë ato nga Shanghai dhe Boston, të cilat, sipas saj, janë veçanërisht të rëndësishme. Ajo shtoi se, për shkak të angazhimeve të shumta, nuk do të mund të marrë pjesë në të gjitha, por në ato ku do të jetë e pranishme, do ta përfaqësojë Kosovën me dinjitet dhe profesionalizëm./IndeksOnline/