MSH bën thirrje për Javën e dhurimit vullnetar të gjakut
Ministria e Shëndetësisë bashkë me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut janë duke zhvilluar aktivitete në kuadër të Javës së Dhurimit Vullnetar të Gjakut.
“Java e Dhurimit Vullnetar të Gjakut shërben si një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë jetike të dhurimit të gjakut, një akt humanitar që shpëton jetë dhe ndihmon në trajtimin e mijëra pacientëve që kanë nevojë për transfuzione gjaku”, njofton MSH.
Sipas njoftimit, dhjetëra nëpunës të Ministrisë së Shëndetësisë iu përgjigjën pozitivisht thirrjes për të dhuruar gjak. Pjesë e iniciativës janë edhe shumë qytetarë dhe punonjës të institucioneve të tjera.
“Dhurimi vullnetar i gjakut mbetet burimi më i sigurt dhe më i qëndrueshëm për furnizimin e institucioneve shëndetësore me gjak dhe produkte të gjakut. Përmes këtij veprimi humanitar, qytetarët japin një kontribut të drejtpërdrejtë në shpëtimin e jetëve dhe në forcimin e sistemit shëndetësor”, vazhdon njoftimi.

