75 Mall Live Search
11:00 / E Martë, 13 Maj 2025 / S Z

Macron vizitë shtetërore në Britani, do të pritet nga mbreti Charles në kështjellën “Windsor”

Mbreti Charles do të presë presidentin francez Emmanuel Macron për një vizitë shtetërore në korrik. Pallati Buckingham ka njoftuar se presidenti i Francës dhe bashkëshortja e tij do të qëndrojnë në kështjellën “Windsor”.

Është bërë e ditur se, vizita e Macron dhe bashkëshortes së tij Brigitte Macron do të realizohet nga 8 deri më 10 korrik.

Sipas “The Guardian”-it, në deklaratën zyrtare të Pallatit Buckingham thuhet:

“Presidenti i Republikës franceze, shkëlqesia e tij Emmanuel Macron, i shoqëruar nga zonja Brigitte Macron, ka pranuar ftesën e madhërisë së tij, mbretit, për të zhvilluar një vizitë shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar nga e marta, 8 korrik, deri të enjten, 10 korrik 2025. Presidenti dhe zonja Macron do të qëndrojnë në kështjellën ‘Windsor’”.

Kujtojmë se kjo vizitë pason atë të mbretit Charles dhe mbretëreshës Camilla në Francë në shtator të vitit 2023, e cila shënoi forcimin e lidhjeve mes dy vendeve.

Ndërsa, vizita e fundit shtetërore nga një president francez në Mbretërinë e Bashkuar ndodhi në mars të vitit 2008, kur presidenti i atëhershëm Nicolas Sarkozy dhe bashkëshortja e tij, Carla Bruni-Sarkozy, ishin të ftuar nga mbretëresha Elizabeth II dhe gjithashtu qëndruan në kështjellën “Windsor”.