Rama shkon në selinë e PS-së, refuzon të komentojë rezultatin: Të mbarojë njëherë…

Kryeministri Edi Rama është rikthyer sërish këtë të martë në selinë qendrore të Partisë Socialiste, teksa procesi i numërimit të votave vijon drejt përmbylljes.
I pyetur nga gazetarët për një prononcim mbi ecurinë e zgjedhjeve, Rama ka refuzuar të jepte një koment, duke u shprehur shkurtimisht
“Të mbarojnë njëherë zgjedhjet, pastaj”, është shprehur Rama.
Burime të brendshme bëjnë me dije se kryeministri pritet të japë një intervistë për një media ndërkombëtare turke, ndërsa një dalje publike për mediat shqiptare pritet vetëm pasi të ketë përfunduar zyrtarisht numërimi i votave në të gjithë vendin, raporton Euronewsalbania.
Sipas të dhënave më të fundit, janë numëruar 4,967 nga 5,225 qendra votimi, që përbëjnë rreth 95% të totalit. Partia Socialiste kryeson me 52.06% të votave, që përkthehen aktualisht në 82 mandate.
Në vend të dytë është Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM) me 34.5%, që i sigurojnë 52 mandate deri në këtë moment./Indeksonline/