Arrestohen dy persona, po kërkoheshin nga Gjykata për vepra të rënda penale

Njësitet policore në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë Jugu gjatë ditës së sotme kanë arrestuar dy persona të kërkuar me urdhëresa aktive të gjykatës.
Në orët e paradites njësitet policore të Stacionit Policor në Skenderaj kanë arrestuar një person të kërkuar me urdhëresë të gjykatës i cili ishte i dënuar nga Gjykatat me burgim në kohëzgjatje prej tetë muajsh për veprën penale ‘’Mbajta në pronësi, kontroll, posedim i paautorizuar të armës’’.
Kurse urdhëresa tjetër është realizuar nga njësitet e Stacionit Policor Jugu Mitrovicë Jugu rreth orës 12:00, ku është arrestuar personi i kërkuar me urdhëresë të gjykatës i cili ishte i dënuar nga Gjykata me burgim me kohëzgjatje prej tridhjete e gjashtë muajsh, për veprën penale ‘’Vrasje e rëndë në tentativë”.
Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, dy të dyshuarit janë dërguar në vuajtje të dënimit./Indeksonline/