75 Mall Live Search
15:45 / E Enjte, 15 Maj 2025 / mp

Rasti i çerdhes “Botanika”, njëra nga të dyshuarat është në arrest shtëpiak

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se të enjten me urdhër të prokurorit të shtetit, njëra nga të pandehurat K.A. është ndaluar për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje  kanë kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë”, me rastin në institucionin parashkollor “Botanika”.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se sipas hetimeve, të pandehurat, në cilësinë e personave zyrtar, në institucionin parashkollor “Botanika” në Prishtinë, dyshohet se gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare kanë përvetësuar mjete financiare që u janë besuar për shkak të pozitës që mbanin, duke i shkaktuar dëm buxhetit të komunës.

“Andaj, me kërkesë të Prokurorit të rastit, ndaj njërës nga të pandehurat iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak”.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe keqpërdorimeve me fondet publike, duke i ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për parandalimin e këtyre rasteve në përputhje me ligjin”, thuhet në njoftim.

Klankosova.tv ka raportuar për rastin në fjalë dhe e përfshirë është edhe drejtoresha e këtij kopshti, Kadrije Asllani. E njëjta dyshohet se dëmi që shkaktoi është në vlerë të 100 mijë eurove.

Siç ka mësuar dje klankosova.tv, nga burime ekskluzive, paratë i kanë paguar prindërit e fëmijëve dhe e njëjta i ka fut në subvencion të komunës.

Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka zhvilluar hetime lidhur me dyshime për keqpërdorim të fondeve publike në një institucion parashkollor në Prishtinë.

Gjatë hetimeve janë siguruar prova që tregojnë përpilimin e listave fiktive të subvencioneve për fëmijë që nuk kanë ndjekur institucionin, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare.

Dyshimet përfshijnë gjithashtu tërheqje të parave në mënyrë të parregullt dhe blerje të pajisjeve elektronike pa justifikim të nevojave institucionale.