Kryeministrja e Danimarkës: Riarmatimi i Evropës prioritet, siguria është çështja kryesore

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen në një konferencë të përbashkët me Kryeministrin shqiptar, Edi Rama në Tiranë tha se Evropa po përballet me sfida serioze, ndaj siguria dhe bashkëpunimi ndërmjet shteteve janë më të rëndësishëm se kurrë më parë.
“Faleminderit për mikpritjen. Ishte një mikpritje shumë e ngrohtë në Shqipëri sot. Europa po përballet me një sërë sfidash dhe na duhet ky format ku shtetet ulen në tryezë dhe diskutojnë çështje të rëndësishme. Siguria do jetë çështja jonë kryesore, pasi jetojmë në një botë të pasigurt. Rusia është një kërcënim i madh”, është shprehur ajo.
Frederiksen nënvizoi se riarmatimi i Europës duhet të jetë një prioritet, veçanërisht në kontekstin e agresionit rus në Ukrainë.
Sipas saj, përveç mbështetjes për armëpushim, është e nevojshme që Perëndimi të intensifikojë sanksionet ndaj Rusisë.
“Duhet t’i japim fund karburantit dhe gazit nga Rusia. Duhet të jemi konkurrentë që klientët të kenë energji me kosto të ulët dhe të gjelbër,” tha ajo.
Në fjalën e saj, Frederiksen iu referua gjithashtu sfidës së emigracionit, duke e cilësuar si një fenomen të pakontrolluar me pasoja të shumta për vendet evropiane. Ajo vlerësoi qasjen e Shqipërisë në këtë drejtim dhe shprehu gatishmërinë për të ndarë përvojën dhe për të marrë përgjegjësi më të mëdha në menaxhimin e këtij procesi.
“Unë them që ju keni bërë një punë shumë të mirë dhe jemi gati për të marrë stafetën,” përfundoi Frederiksen.