75 Mall Live Search
14:31 / E Diele, 18 Maj 2025 / Burim

Shembet muri rrethues në Shqipëri, humb jetën vajza 4-vjeçare

Një ngjarje tragjike ka ndodhur mesditën e sotme në fshatin Suk 2 të Roskovecit, ku një vajzë e mitur, vetëm 4 vjeçe, ka humbur jetën si pasojë e shembjes së një muri rrethues të amortizuar.

Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:40, kur muri rrethues i një banese në pronësi të shtetasit L.T. është shembur papritur, duke zënë poshtë vajzën e tij të mitur. E mitura është transportuar menjëherë në qendrën shëndetësore të Roskovecit, por fatkeqësisht ka mbërritur pa shenja jete.

Në vendin e ngjarjes ka mbërritur grupi hetimor, i cili po punon për të zbardhur rrethanat e plota të incidentit, si dhe për të përcaktuar shkakun e shembjes së murit.

Ky incident tragjik ngre sërish shqetësimin për gjendjen e strukturave të vjetra ndërtimore në zonat rurale dhe nevojën për kontrolle të rregullta teknike për parandalimin e ngjarjeve të tilla.

Hetimet për këtë ngjarje vijojnë.