KQZ: Sot nis numërimi i votave të diasporës, votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet të nisë sot procesin e numërimit të votave të diasporës, votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, pas përfundimit të numërimit të mbi 97 për qind të votave të rregullta nga zgjedhjet parlamentare.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur se rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve do të publikohen vetëm pasi të përfundojë numërimi i të gjitha kategorive të votave.
Sipas tij, procesi i numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit nis sot.
Në shumicën e komunave, numërimi do të fillojë nga ora 16:00, ndërsa në komunat më të vogla nga ora 09:00.
“Rezultati përfundimtar do të jepet pasi të numërohen votat e diasporës, ato me postë dhe ato në përfaqësi diplomatike, po ashtu votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta”.
“Prej ditës së nesërme do të nisë numërimi në Qendrat Komunale të Numërimit. Në disa komuna do të nis në orën 16:00, për shkak se materiali do të grumbullohet gjatë natës së sotme, që t’u japim pak kohë të pushojnë”.
“Në shumicën e komunave do të fillojë në orën 16. Në komunat e vogla, numërimi do të fillojë nga ora 9 e mëngjesit të nesërm”, tha mbrëmë Radoniqi.

