Kusari-Lila: E kemi të paqartë se cila është kërkesa e opozitës, nëse duan ta bëjnë qeverinë së pari duhet konstituimi i kuvendit

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pas dështimit të përpjekjes së 19-të për konstituimin e kuvendit, ka thënë se e kanë të paqartë se cila është kërkesa e partive që deri vonë ishin në opozitë.
Sipas Kusari-Lilës, bllokuesit për konstituimin e kuvendit janë PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe që s’po marrin pjesë në votimin për komisionin për votim të fshehtë, për zgjedhjen e kryetarit të kuvendit.
“Këto votimet e fundit janë votime të cilat nuk ka pjesëmarrje të përfaqësuesve të partive opozitare. Në situatën aktuale, e kemi të paqartë se cila është kërkesa e opozitës. Cili është qëllimi i opozitës. Në rrethanën në të cilën jemi, është një situatë ku bllokuesit e vetëm janë partitë që nuk marrin pjesë në votim”, tha Kusari-Lila.
Ajo shtoi se nëse këto parti duan të bëjnë qeveri vetë, së pari duhet ta konstituojnë kuvendin.
“Në rast se duan të bëjnë qeverinë ose të jenë pjesë e një qeverie të partive opozitare të deritashme, atë nuk mund ta kenë pa u votuar kuvendi, nënkryetarët dhe pa u konstituar kuvendi”, ka shtuar Kusari-Lila.