75 Mall Live Search
10:16 / E Enjte, 22 Maj 2025 / k.v

Kapet heroinë në Prishtinë, dy persona përfundojnë prapa grilave

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Prishtinë, pas një operacioni që çoi në sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të substancës së dyshuar narkotike të llojit heroinë, transmeton IndeksOnline.

Dy të dyshuarit, janë ndaluar nga njësitet policore mbrëmë rreth orës 20:00, ku gjatë kontrollit fizik ndaj njërës palë është gjetur dhe sekuestruar një sasi e vogël heroinë (rreth 0.2 gram), një telefon, një palë çelësa banese dhe para të gatshme në valuta të ndryshme me vlerë rreth 825 euro.

Ndërkohë, tek i dyshuari tjetër janë gjetur dy qese të vogla me heroinë, me një peshë totale prej rreth 2.1 gramësh.

Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, është bastisur edhe banesa e njërës prej palëve, ku janë gjetur gjashtë qese najloni të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë, me një peshë totale prej 643.7 gramësh. Po ashtu, janë sekuestruar dy peshore digjitale, të cilat dyshohet se janë përdorur për ndarjen e drogës.

Sipas vlerësimeve fillestare, vlera e përgjithshme e substancës së sekuestruar kap shifrën e afërsisht 12 mijë eurove.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. Rasti është iniciuar dhe hetimet po vazhdojnë./IndeksOnline/