75 Mall Live Search
13:47 / E Enjte, 22 Maj 2025 / AR

Kosova nuk është mirë, as shteti, as shoqëria

Shkruan Arianit Koci

Institucionet janë të paralizuara. Ligji zbatohet ndryshe për të fuqishmit. Askush nuk jep llogari. Shoqëria është e heshtur, e dorëzuar, si nën narkozë.

Kjo nuk është lodhje. Është pasojë. Pasojë e një kaste që për vite ka vepruar mbi ligjin – të paprekshëm, të padijshëm, por gjithmonë me pushtet.

Nuk janë vetëm politikanë. Rrjeti përfshin edhe biznesmenë, figura publike që shtiren si moralistë, dhe njerëz të drejtësisë që e kanë përdorur sistemin për përfitim personal. Disa janë të papërgjegjshëm. Disa – ndoshta edhe kriminelë. Për ta, shteti ka qenë pronë private.

Ekonomia është keq. Shumë keq.

Çmimet janë rritur në heshtje, por goditja është e zhurmshme.

Inflacioni po ia merr frymën popullit. Të varfrit po zhyten më thellë. Shtresa e mesme po tretet. Të rinjtë po ikin.

Kjo nuk rregullohet me fjalë. Koha po kalon – bashkë me të, edhe jeta jonë.

Shtetet përreth po ecin përpara. Ne – ende në vend.

Duhet të mendojmë seriozisht: çfarë po u lëmë fëmijëve?

Nevojitet veprim. I menjëhershëm. Radikal.

Gjendje e jashtëzakonshme – me afat të kufizuar dhe masa të qarta.

Fokusi: krimi i organizuar, krimi politik, krimi ekonomik dhe tradhtia ndaj vendit.

Drejtësia nuk mund të shpërdorohet me çështje që nuk prekin themelet e shtetit, ndërsa të mëdhenjtë ecin lirshëm.

Pastrimi nis nga brenda. Prokurorët dhe gjyqtarët që nuk punojnë – ose nuk dinë – duhet të largohen. Pa mëshirë. Sepse drejtësia pa përgjegjësi është mashtrim.

Ata që e marrin këtë barrë – duhet ta dinë mirë:

Nuk është karrierë. Është mision për shpëtimin e shtetit; kombit.

Katër vjet mjaftojnë. Pastaj – largim pa kthim.

Të kujtohen si ata që nuk u frikësuan ta ndreqin shtetin – kur të gjithë të tjerët heshtnin.

Nëse nuk veprojmë tani – e humbim këtë vend.

Dhe nëse nuk kemi guximin ta ndryshojmë – le ta pranojmë të vërtetën: Kosovën nuk e kemi më.

Ky tekst është vetëm një kroki – një mendim i parë për një rrugë që natyrisht kërkon detajizim të thelluar me ekspertë të drejtësisë, ekonomisë dhe sigurisë.

Kur flas për “gjendje të jashtëzakonshme”, nuk e kam fjalën për një akt juridik.

E kam fjalën për një gjendje morale. Për një alarm shoqëror.

Një thirrje për zgjuarje – në vetëdije, në institucione, në ndërgjegje.

Sepse çdo ndryshim e ka një pikënisje. Dhe kjo është e imja.