75 Mall Live Search
16:01 / E Enjte, 22 Maj 2025 / FR

Komuna e Prishtinës reagon pas raportimeve për mosfunksionimin e numrave emergjentë

Komuna e Prishtinës, ka dalë me një sqarim për qytetarët lidhur me mosfunksionimin e numrave kujdestarë emergjent të qytetit, duke thënë se ‘‘numrat 0800 122 33 dhe 0800 122 44 i përkasin Qendrës Operative Emergjente të Kryeqytetit, dhe jo Drejtorisë së Inspeksionit’’.

Sipas komunës, për një periudhë rreth një orë, të dy numrat kanë qenë jashtë funksioni për shkak të një prishjeje teknike të shkaktuar nga Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK), duke theksuar se kjo ndërprerje nuk ka qenë e qëllimshme dhe nuk ka pasur asnjë synim për të penguar raportimin apo komunikimin e qytetarëve me institucionet komunale.

Po ashtu, komuna ka bërë të ditur se në rastet kur qytetarët nuk mund të lidhen me operatorët kujdestarë, kjo vjen si pasojë e ngarkesës së madhe me thirrje, duke qenë se Qendra funksionon 24 orë në ditë dhe trajton një numër të madh kërkesash.

“Çdo ankesë që paraqitet nga qytetarët pranohet, trajtohet dhe përcillet tek drejtoritë përkatëse,” thuhet në fund të njoftimit të Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, duke kërkuar mirëkuptim nga qytetarët për situatën e krijuar.