75 Mall Live Search
23:45 / E Diele, 25 Maj 2025 / FR

Dr. Matjan Hitoaliaj: Magnezi, çelësi i mirëfunksionimit të organizmit dhe luftës kundër pagjumësisë

I ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin e Report TV, mjeku i njohur shqiptar me karrierë në SHBA, Dr. Matjan Hitoaliaj, foli gjerësisht mbi rëndësinë e mineralit të magnezit për shëndetin e njeriut.

Gjatë intervistës, ai ndau njohuri të thella mbi rolin që luan magnezi në trup dhe ndikimin e tij në trajtimin e problemeve të zakonshme shëndetësore, përfshirë edhe pagjumësinë.

“Pagjumësia është një simptomë që i shfaqet kujtdo që ka një problem dhe mund t’i ndodhë kujtdo. Pagjumësia që zgjat disa muaj, deri në gjashtë muaj, e quajmë pagjumësi kronike. Në organizmin e njeriut krijohet një hormon që quhet melatoninë, dhe shtimi i tij gjatë ditës është i ulët, ndërsa para gjumit ai rritet,” ka thënë Dr. Hitoaliaj, duke theksuar se magnezi luan rol të rëndësishëm në balancimin hormonal dhe përmirësimin e cilësisë së gjumit.

Sipas tij, magnezi është një mineral esencial që ndikon në mbi 300 procese enzimatike në trup, duke përfshirë funksionet muskulare, nervore, kardiovaskulare dhe metabolike. Mungesa e tij mund të shkaktojë një sërë problemesh shëndetësore, përfshirë lodhjen, spazmat muskulore dhe vështirësitë me përqendrimin.

Ai shtoi se forma më e mirë për të marrë magnezin është përmes ujit, pasi në këtë mënyrë trupi e përthith më lehtë, duke ofruar efekt më të shpejtë dhe të qëndrueshëm.

Për më shumë mund ta ndiqni intervistën e plotë./IndeksOnline/