Mërgimtari pranon fajësinë dhe kërkon falje për kanosjen e ministrit në detyrë Faton Peci, thotë se ishte i dehur

I akuzuari Blerim Avdiu e pranoi fajësinë në seancën fillestare të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për akuzën se përmes rrjetit social Facebook ka kanosur ministrin në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, njëherësh deputet i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Ai i kërkoi falje të dëmtuarit, duke thënë se ishte i dehur kur ndodhi rasti.
Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori Besart Mustafa, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“E pranoj fajësinë, unë ministrin nuk e kam parë asnjëherë, as s’kam pas diçka punë. Kam respekt për të, nuk e kam ditë kush është. Kam qenë në shtetin kroat, i dehur, i papunë edhe nuk e di as vetë çka kam shkru, të nesërmen e pashë telenonin, e kam thyer dhe kam kërkuar ndihmë nga mjekët kroatë”, tha Avdiu.
Prokurori Mustafa tha se pajtohet me pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit, pasi është bërë në mënyrë vullnetare pas konsultimit të të akuzuarit me mbrojtësin e tij.
Mustafa i propozoi gjykatës të aprovojë pranimin e fajësisë së të akuzuarit dhe ta shpallë fajtor.
I dëmtuari- ministri Peci tha se pranimi i fajësisë nga Avdiu është i paalternativë, por mendon se nuk është e vërtetë se ai ka qenë i dehur, ngase kërcënimi është përsëritur tri herë.
“Mendoj që pranimi i fajësisë nuk ka alternativë dhe mendoj se fajësia është bërë si përpjekje për të pasur rrethana lehtësuese dhe deklarimi që ka qenë i dehur mendoj që është i pavërtetë. Arsyeja pse mendoj që nuk është e vërtetë se kërcënimi është përsëritë tre herë. Gjendja e një të dehuri nuk zgjat më shumë se 24 orë, kur tre herë radhazi e ka përsëritë kërcënimin”, tha Peci.
Ai shtoi se i pandehuri e ka kanosur dhe sharë edhe me anëtarë të familjes. Tha se kërcënimi shpërfaq urrejtje ndaj tij.
“Shpërfaq një urrejtje që ka buru nga dikah e unë mendoj se shkrimet dhe shpifjet e vazhdueshme kundër meje potencialisht kanë mundur me qenë motivi për shkak se nuk kanë mundur të jenë ndryshe sepse asnjëherë nuk kam pas konflikt me askënd”, tha ministri.
I njëjti thekson se parashtron kërkesë pasurore-juridike, duke shtuar se ndihet i kërcënuar dhe rrezikuar.
“Unë parashtroj kërkesë pasurore-juridike. Ndihem i kërcënuar dhe i rrezikuar sepse në të kundërtën nuk do t’iu drejtohesha organeve të drejtësisë”, tha Peci.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Avdiu, avokati Halim Shala tha se deklarimi i të pandehurit rreth fajësisë u bë konform legjislacionit në fuqi. Tha se duhet marrë parasysh edhe niveli shkollor i të akuzuarit dhe të merret parasysh se nuk ka të kaluar kriminale.
“Kjo është hera e parë që bie ndesh me ligjin dhe natyrshëm që nuk i ka kuptuar drejt veprimet me të cilat ka konsumuar veprën penale kanosje dhe sigurisht nuk e ka kuptuar pozitën e personit ndaj të cilit ka drejtuar këtë kanosje. Andaj, Gjykatës i propozojmë të aprovojë fajësinë”, tha avokati Shala.
Më pas, gjykatësja Valbonë Fejza aprovoi pranimin e fajësisë.
Pas aprovimit të pranimit të fajësisë, prokurori Mustafa i propozoi Gjykatës që me rastin e shqiptimit të llojit dhe lartësisë së dënimit, të marrë për bazë rrethnat rënduese- intensitetin e lartë të dashjes sepse i pandehuri brenda fjalëve disa herë i është drejtuar të dëmtuarit se do ta vrasë. Kurse, rrethanë lehtësuese kërkoi të merret pranimi i fajësisë.
Në anën tjetër, i dëmtuari Peci tha se nuk mendon që arsimimi i të pandehurit është predispozitë për nivelin e kriminalitetit që mund ta realizojë dikush.
“Nuk mendoj që arsimimi i të pandehurit është përcaktues apo predispozitë për nivelin e kriminalitetit që mundet me realizu dikush. Shoqëria jonë në të kaluarën ka pasur nivel të ulët të arsimit, por ka pasur njerëz punëtorë dhe fisnikë dhe asnjëherë nuk mendoj që pamundësia për t’u arsimuar ta rrit nivelin e kriminalitetit”, tha Peci.
Kurse, avokati Shala i propozoi Gjykatës që të marrë për bazë rrethanat lehtësuese me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit.
Ai sërish theksoi se i akuzuari nuk ka të kaluar kriminale, si dhe kërkoi të merret parasysh gjendja e dobët ekonomike dhe si gjendja shëndetësore. Kërkoi të merret për bazë edhe kërkimfalja e të akuzuarit dhe t’i shqiptohet dënim më i butë.
Në fund, i akuzuari Blerim Avdiu i kërkoi falje të dëmtuarit Peci.
“Unë kam pasur dëshirë me i kërku falje Faton Pecit, me të vërtetë nuk e kam njoftë, s’e di as vetë, jam kanë i pitë, falje kërkova”, tha Avdiu.
Seanca e 5 majit 2025 dështoi në mungesë të të akuzuarit Avdiu, për të cilin gjykatësja Valbonë Fejza tha se do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim në seancë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 26 mars 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Blerim Avdiut, të cilin e ngarkon se më 2 mars 2025 me rastin e postimit të një fotografie në rrjetin social “Facebook” nga i dëmtuari Faton Peci- si ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural lidhur me aktivitetet e tij si ministër, Avdiu nga profili i tij në “Facebook” me dashje ka kanosur seriozisht të dëmtuarin, duke i dërguar mesazhe fyese dhe kanosëse.
“Si kryeminel ti q… edhe ata të vdekurit une kam me të vra jo tjetër kush, kryeminel ti gjall e un gjall nuk kemi me jetu jo pot tham qat ditë se te mrri në ks asnjani nuk kena me kan ket jet o bir shkine o bir shkavi ta dish edhe vorrin e nanes, kryeminel mos harro me 28 maj jam në kufi veq me ardh me të vra ty kena me ardh dije mirë”, citohen në aktakuzë fjalët kërcunese të të akuzuarit drejtuar të dëmtuarit Peci.
Me çka, sipas prokurorisë, i akuzuari Avdiu me këto fjalë ka shkaktuar te i dëmtuari Peci ndjenjën e frikës dhe ankthit për jetë.
Andaj, për këto veprime, Avdiu ngarkohet se ka kryer veprën penale “Kanosje” nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 të Kodit penal.