Kurti pas ndalimit të Agushollit: Serbia s’e do fqinjësinë normale, duhet ndëshkuar ndërkombëtarisht

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas ndalimit të ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Gramos Agusholli, nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Merdarë. Ai tha se ky rast është një tjetër dëshmi se Serbia nuk synon marrëdhënie normale dhe fqinjësore me Kosovën.
“Serbia nuk lëshon rast për ta dëshmuar se nuk do e as synon marrëdhënie normale e fqinjësore. Ndalimi i ish-deputetit Gramos Agusholli për orë të tëra është prova e radhës,” shkroi Kurti në një reagim publik.
Ai shtoi se praktika të tilla të autoriteteve serbe, që sipas tij kanë për qëllim frikësimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Kosovës, duhet të dënohen fuqishëm nga komuniteti ndërkombëtar.
“Praktika të tilla që përdoren në vazhdimësi me qëllim keqtrajtimin dhe frikësimin e qytetarëve tanë duhet të dënohen zëshëm dhe njëzëri edhe nga komuniteti ndërkombëtar,” tha Kurti.
Në fund, ai përgëzoi institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë për reagimin e shpejtë dhe i dëshiroi Agushollit qëndrim të mbarë në Lubjanë, ku ai është nisur pas lirimit.