Rizvanolli: Bizneset i kemi ftuar në takim, kanë presion nga Oda Ekonomike

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në një konferencë për media, thotë se është takuar me odat e prodhuesve vendorë, për të diskutuar mbi çështjen e daljes në treg të lirë të energjisë elektrike, nga ana e bizneseve.
Rizvanolli deklaroi se nga bizneset dje pranuan informacionin që kur kishte filluar liberalizimi i tregut, furnizues me energji elektrike ka qenë KESCO-ja, shkruan IndeksOnline.
“Ata na thanë se kur ka filluar liberalizimi dhe kanë dalur në treg më 2017, ka qenë vetëm KESCO-ja si furnizues. Kanë pasur bashkëpunim me kompani të rajonit, por numri i atyre që kanë ofertuar ka qenë më i lartë se kaq… Konkurrenca në treg është rritur ndërkohë. Megjithatë, për të qartësuar deri në fund këtë çështje, propozimi im ka qenë të ftohen në takim furnizuesit e licencuar dhe bizneset që do të dalin në treg, me qëllim që të informohen më mirë dhe të shohim konkurrencën e vërtetë në treg” deklaroi Rizvanolli.
Ajo thotë se odat dhe shoqatat e bizneseve janë ftuar në takim sot në ora 13:00, dhe se shpreson që takimi të mbahet.
“Në takimin e djeshëm, kryeministri Kurti, për herë të dytë i siguroi bizneset që qeveria do të qëndrojë në çdo hap pranë bizneseve. Oda Ekonomike duket se kishte një para-plan. Menjëherë pas takimit të djeshëm dhe zotimit që qeveria do t’u qëndrojë pranë bizneseve, OEK-ja paralajmëroi bllokim rrugësh. Si është e mundur që të ketë bllokim të rrugëve paradite, e sabotim pasdite?” u shpreh ministrja në detyrë.
Ajo tha se në Ministri kanë dëgjuar se bizneset janë duke pasur presion nga Oda Ekonomike, për të mos marrë pjesë në takimet e përbashkëta me qeverinë dhe për të mos nënshkruar ofertat për kontratë të furnizimit.
“Ne e kemi parasysh se këta që janë destruktiv janë pak, por të zëshëm. E kemi parasysh që shumica e bizneseve që po dalin në treg janë të interesuara për informata dhe nuk do të lejojmë të bien pre e qëllimeve dashakeqe” shtoi Rizvanolli.
Më herët përfundoi protesta e bizneseve që, duke bllokuar hyrjet e Prishtinës, kundërshtuan vendimin e ZRRE-së, për liberalizim të tregut.
Vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për liberalizimin e tregut të energjisë do të hyjë në fuqi më 1 qershor. Vendimi nënkupton se të gjitha bizneset e mëdha nuk do të furnizohen më me energji përmes tarifave të rregulluara, por duhet të gjejnë vetë furnizuesin e tyre në tregun e lirë. Nëse nuk arrijnë ta bëjnë këtë, ato kalojnë automatikisht në treg të hapur me çmime të parregulluara./IndeksOnline/