24 vjet burgim për Jon Hotin/ Babai i Albison Shlivovës: Edhe me burgim të përjetshëm me e pas dënu, neve na ka shkatërru jetën

Jon Hoti është dënuar sot me 24 vjet e 6 muaj burgim nga Gjykata Themelore e Pejës, për vrasjen e dy të rinjve nga Klina, Albison dhe Rexhep Shlivovën.
Të dy kusherinjtë, u privuan tinëzisht nga jeta nëntorin e vitit të kaluar.

Në një intervistë për IndeksOnlinen, Sefer Shlivova, babai i Albisonit ka komentuar dënimin e shqiptuar nga organet e drejtësisë për Hotin, i cili veçse pranoi fajësinë për këtë vrasje, pak ditë më parë.
“Vendimi për Jon Hotin, ne na ka shkatërru pa arsye, s’ka pas arsye, ne na ka shkatërru tanë jetën. Atë me dënu edhe përjetë ne na doket pak se na ka shkatërru edhe jetën. Ne ende nuk e dijmë arsyen se pse i ka vrarë Albisonin dhe Rexhepin, a e ka shty kush, a e ka pagu kush .. i ka kërku gjatë gjithë ditës djemtë tanë. Sot ne nuk e dijmë arsyen pse i ka vrarë. Ka vrasje që ndodhin aty për aty dhe mësohet motivi, por ne ende nuk e dijmë asgjë”.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Shaqë Curri, Hoti për veprën penale “Vrasje e rëndë” u dënua me 24 vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje u dënua me 1 vit burgim. Ndaj tij, Gjykata shpalli dënim unik prej 24 vjet e 6 muaj burgim
I akuzuari obligohet që të paguajë shpenzimet e procedurës penale në shumë prej 200 euro dhe 50 euro për taksën për kompensimin e viktimave të krimit, në afat prej 15 ditësh nga shpallja e aktgjykimit.
Të dëmtuarit, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest civile.
Të akuzuarit iu vazhdua masa e paraburgimit, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar.
Ndaj këtij vendimi, lejohet ankesa në Gjykatën e Apelit.
Ndryshe, Prokuroria Themelore e Pejës, Departamenti i Krimeve të Rënda, më 7 prill 2025 kishte ngritur aktakuzë ndaj Jon Hotit, për vrasjen e R.SH., dhe A.SH., më 13 nëntor 2024 në Klinë.
Sipas prokurorisë, rasti kishte ndodhur në një lokal, pasi i pandehuri paraprakisht i kishte kërkuar shtëpitë e tyre e më pas i kishte kontaktuar viktimat përmes rrjetit social Facebook ku edhe kishin lënë takim në lokal.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri me datë 13 nëntor të vitit 2024, me dashje dhe me armë zjarri ka privuar nga jeta viktimat, R.SH dhe A.SH, në Klinë rreth orës 14:11 minuta, duke vënë në rrezik jetën edhe të personave tjerë që ishin prezent në lokalin ku kishte ndodhur vrasja e dyfishtë, në atë mënyrë që i pandehuri paraprakisht i kërkon shtëpitë e viktimave, kurse me pas përmes rrjetit social Facebook i kontakton viktimat dhe me të njëjtit lejnë takim në një lokal në qendër të Klinës dhe pas një bisede disa minutëshe me dy viktimat me të cilët ishte i ulur në të njëjtën tavolinë, i pandehuri J.H. ngritët në këmbë dhe duke qenë i kthyer me shpinë ka viktimat, nxjerr armën nga xhaketa e tij, dhe fillon të gjuaj në drejtim të viktimave, me ç’rast vëllai i viktimës R.SH, dëshmitari E.SH, hidhet në armë të pandehurit duke e parandaluar të njëjtin të gjuante me tutje, kurse në ato momente bie në dysheme arma e të pandehurit, ndërsa me pas i pandehuri J.H. largohet nga vendi i ngjarjes, ku si pasojë nga të shtënat e armës se zjarrit, gjen vdekjen në vendin e ngjarjes viktima A.SH, ndërsa viktima R.SH dërgohet pa shenja jete në Spitalin Rajonal të Pejës”, thuhej në njoftimin e prokurorisë.
Hoti akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.5 dhe 1.11 të Kodit Penal dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit penal.