Arrestime në Pejë: Rexhep Nikçi dhe Safet Lajçi në pranga

Burime të Indeksonlinet bëjnë të ditur se të arrestuarit në Pejë janë Rexhep Nikçi dhe Safet Lajçi. Arrestimi u bë gjatë një operacioni të Policisë së Kosovës, i zhvilluar në orët e para të mëngjesit nën autorizimin e Prokurorisë Speciale.
Zëdhënësi i policisë, Baki Kelani, konfirmoi se janë kryer kontrolle në tri rajone të ndryshme të vendit, të lidhura me rastet e trafikimit me narkotikë dhe krimeve kibernetike. Operacioni është ende në zhvillim.
Ndryshe, policia dhe Prokuroria Speciale e Kosovës, sot e kanë zhvilluar një aksion të madh ku janë arrestuar disa persona. Lidhur me ngjarjen është deklaruar zëdhënësja e PSRK-së Abnora Luta.
“Ju njoftojmë se Policia e Kosovës, në bazë të urdhrit të gjykatave kompetente, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ka zhvilluar një aksion mbi dyshimet rreth kontrabandimit me substanca narkotike. Bastisjet janë zhvilluar në disa lokacione, nën udhëheqjen e prokurorit të rastit të Prokurorisë Speciale. Për detaje të tjera, publiku do të njoftohet gjatë ditës”, tha ajo.