75 Mall Live Search
11:13 / E Enjte, 05 Qershor 2025 / FR

Debatet televizive – Rreziku i heshtur për shëndetin mendor të fëmijëve

Shkruan: Sami J Hajrullahu

Ajo që fëmijët tanë po shohin e dëgjojnë përmes debateve televizive, ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e tyre emocional, mendor dhe moral.

Fatkeqësisht, debatet televizive që po transmetohen çdo mbrëmje në televizionet tona janë bërë burim i tensionit, përçmimit, gjuhës së urrejtjes dhe humbjes së etikës.

Çfarë ndikimi kanë debatet televizive?

1. Normalizojnë dhunën verbale – Fëmijët që rriten duke dëgjuar tone fyese nga

analistët, mësojnë se kjo është mënyra e pranueshme për të komunikuar.

2. Zhvillojnë ankth dhe pasiguri – Tonet e ngritura, përplasjet agresive dhe tensioni

emocional shkakton ankth tek fëmijët, veçanërisht tek ata më të ndjeshëm.

3. Ndikojnë në zhvillimin moral dhe social – Fëmijët mësojnë përmes modelimit dhe kur këta musafir televizionesh përdorin sharje dhe etiketime, kjo shndërrohet në një standard komunikimi.

Ju lutem mos i shikoni këto debate në praninë e fëmijëve tuaj.

Edhe më mirë se kaq: MOS I SHIKONI FARE

Sepse përtej dëmit që mund t’u bëhet fëmijëve, këto debate nuk kontribuojnë as për paqen tuaj të brendshme si prindër e qytetarë.

Ja pse?

-Fëmijët nuk e dallojnë ende kufirin mes debatit të ashpër dhe dhunës. Për ta, gjithçka është model sjelljeje.

-Fëmijët mësojnë më shumë nga ajo që ju bëni sesa nga ajo që ju thoni.

-Sa më shumë të normalizohet kjo mënyrë komunikimi në shtëpi, aq më shumë fëmijët do ta riprodhojnë në shkollë, në rrjete sociale dhe në jetën reale.

Prandaj, në vend të debateve që nxisin stres dhe tension psikologjik, zgjidhni përmbajtje që nxisin kreativitet dhe qetësi. Një dokumentar, një film edukativ, një bisedë e ngrohtë me fëmijët vlenë më shumë se çdo debat televiziv aktualisht.

Të kujdesemi për shëndetin mendor të fëmijëve është përgjegjësi e përbashkët.

Mos lejoni që dhuna verbale nga debatet televizive të bëhet pjesë e rritjes së fëmijës tuaj.