75 Mall Live Search
19:47 / E Martë, 10 Qershor 2025 / MSH

Tragjedia në Graz, Kombëtarja e Austrisë mban një minut heshtje në kualifikuesen ndaj San Marinos

Një ngjarje e rëndë tronditi sot opinionin austriak dhe jo vetëm, pasi në një shkollë të Grazit ndodhi një sulm me armë që rezultoi me 11 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur.

Me këtë rast, Kombëtarja austriake do të mbajë shirita të zinj në krahë, në ndeshjen e sontme kualifikuese për Botërorin, që e luan me San Marinon.

Ndeshja do të luhet në Serravalle dhe është planifikuar të mbahet një minut heshtje në nderim të viktimave dhe të prekurve nga sulmi, transmeton IndeksOnline.

“Në këto çaste të dhimbshme, mendimet tona janë me familjet dhe të prekurit. U urojmë forcë në këtë kohë të vështirë!” shkroi Shoqata Austriake e Futbollit.

Rreth 1,500 tifozë të Kombëtares austriake, që kishin udhëtuar për në San Marino, anuluan marshimin e tyre drejt stadiumit dhe gjithashtu braktisën koreografinë e planifikuar fillimisht.

Sipas Kurier, në vend të kësaj, u njoftua një banderolë pa shkronja, tërësisht e zezë, me përmasa 60×1.5 metra , dhe një banderolë 12×1 metër me mbishkrimin “Mendojmë për ju – Grazi nuk është vetëm!”.

Dy orë para fillimit të ndeshjes, një banderolë e zezë me dy kryqe të bardha dhe fjalën “Graz” në qendër u pa në stadiumin e San Marinos.

IndeksOnline raportoi më herët ekskluzivisht se në mesin e viktimave ishte edhe një nxënëse kosovare, me prejardhje nga qyteti i Vitisë.

Ndeshja Austri-San Marino fillon në ora 20:45./IndeksOnline/