75 Mall Live Search
19:27 / E Mërkurë, 11 Qershor 2025 / S Z

QKUK e shpërblen kompaninë “Medica” me kontratë 736 mijë euro për servisimin dhe mirëmbajtën e PET CT-së

Qendra Klinike Universitare e Kosovës e ka shpallur kompaninë “Medica” si fituese të kontratës për servisimin dhe mirëmbajtjen e pajisjes së PET CT-së.

Tenderi me titull “Mirëmbajtja dhe servisimi i sistemit te integruar te prodhimit te imazhit molekular SPECT PET CT” ishte shpallur si Njoftim Paraprak fillimisht me datën 7 prill 2025 me vlerë të parashikuar 610 mijë Euro, shkruan Gazeta Shneta.

Por vlera e parashikuar ndryshoi dhe u shtua për 126 mijë euro në Njoftimin për Kontratë më datën 24 prill të këtij viti. Vlera e parashikuar shkoi në 736 mijë Euro.

Po kaq është edhe shuma me të cilën QKUK e ka shpërblyer kompaninë “Medica” e cila ishte operatori i vetëm në këtë procedurë.

Gazeta e ka pyetur QKUK-në për këtë ndryshim të kostos së tenderit, por është bërë gati një muaj dhe ky institucion nuk ka kthyer përgjigje. QKUK nesër pritet ta nënshkruaj kontratën me operatorin fitues për periudhën dy vjeçare.

Vlera prej 736 mijë euro është e ndarë në dy lote, 316 për Lot 1 për “Mirëmbajtja dhe servisimi i sistemit të integruar të prodhimit të imazhit molekular, leximit, përpunimit, arhivimit dhe rindërtimit të dhënave”.

Dhe Lot 2 me vlerë 410 mijë Euro për “Furnizimi dhe montimi i artikujve konsumues dhe realizimi i projekteve të reja shtesë X-ray tube for CT, Detector for PET, Multi-pinhole collimator ëith accompanying parts, Interkonektimi dhe ndërlidhja e sistemeve të integruara të imazhit si dhe furnizimi me pajisje për krijimin e vendeve të reja të punës”.

Në dosjen e tenderit është përmendur se Lot 2 mund të mos realizohet, andaj QKUK nuk do të ketë asnjë obligim nga operatorit ekonomik.

QKUK është furnizuar me këtë pajisje vitin e kaluar. Pajisja është donacion me vlerë 1.5 milionë euro nga organizata “Alwaleed Philanthropies Global” në bashkëpunim me Fondacionin “Jahjaga”. /Gazeta Shneta/